Shemsi Prençi, ish-drejtor i policisë tha se dëshmitë e Hygerta Metës dhe vëllait të saj të madh Hysen Meta, janë të pabesueshme. Sipas tij ata që të dy kërkojnë të marrin përsipër vrasjen, por sipas tij asnjëri nga ata nuk e ka shkrepur armën.
Sipas Prençit autori është dikush tjetër. Ai tha se i vetmi person i cili do të kishte kryer krimin pa iu dridhur dora, për shkak të vuajtjeve të supozuara që mund të ketë kaluar, do të ishte nëna.
“Ka një problem shumë serioz, nisur nga dëshmitë, por edhe nga të dhënat e deritanishme, del se pavarësisht kontradiktave që ka në dëshmitë e fëmijëve dhe të bashkëshortes, ata bien ndesh edhe me aktin e vrasjes.
Një vrasje në gjaknxehtësi e sipër, ndodh me një plumb dhe do kishte ndërhyrje. unë dyshoj se asnjëri nga ata që do të marrë përsipër përgjegjësinë e veprës penale nuk janë autorët. E para ata e kanë marrë përsipër të dy, por ata nuk e kanë bërë të dy.
Hyseni dhe Hygerta kanë marrë përsipër të manipulojnë situatën para togave të zeza, sepse kanë menduar që mamaja nuk do jetë në gjendje të luaj me fjalët. Nga fëmijët nuk kishte asnjë shenja në trup, nëna mbase ka, personi që i është nxirë jeta nga ai Pëllumbi do ketë qenë vetëm nëna, sepse fëmijët nuk flasin të jenë dhunuar.
Sipas meje, ky person konfrontimin e ka pasur vetëm me bashkëshorten. Për mua vrasjen e ka bërë bashkëshortja, vetëm ajo mund të qëllonte pa iu dridhur dora kundër një personi që supozojmë se i ka nxirë jetën, qoftë edhe për të mbrojtur vajzën në një fejesë të padëshiruar”,-tha Prençi.