Pa dyshim, një nga aktorët më të spikatur të skenës dhe ekranit shqiptar, pjesë e plejadës së artë të shkollës shqiptare të aktrimit! Viktor Bruçeti, sot do të festonte 86 vjetorin, nëse do të ishte mes nesh.
Një aktor i papërsëritshëm i karaktereve, Bruçeti do të mbahet mend gjithmonë për rolet e spikatura në teatër por edhe në kinematografi. Në këtë ditë, e kujton me një publikim në Facebook edhe Teatri “Migjeni”:
Sot, me 26 Shkurt 2024, është 86 vjetori i lindjes së Artistit të Merituar, Viktor Bruçeti. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij !
Viktor Bruçeti, lindi në Shkodër, më 26 shkurt 1938. Studimet e larta për aktor i nisi në Akademinë e Arteve në Bukuresht, Rumani, të cilat i nderpreu për shkak të keqësimit të marrëdhënieve politike ndërshtetërore të kohës. Më pas vazhdon studimet në Shkollën e Lartë “Aleksander Moisiu” në Tiranë.
Në Gusht të vitit 1963, fillon punën si aktor në teatrin “Migjeni” të Shkodrës dhe vijoi aty deri në vitin 1999, kur u largua nga Shqipëria. 60 vjetorin e lindjes dhe 35 vjetorin e veprimtarisë artistike e feston në skenë, në interpretimin në komedinë ” Për një L”, në vitin 1998.
Viktori shquhet për realizimin e dhjetra roleve në skenë e në kinema. Karakteret dhe mjeshteria e fjalës artistike të Viktorit kanë mbetur të ngulitura në kujtesën e spektatorit.
Viktor Bruçeti, në 70 vjetorin e teatrit, vlersohet nga Presidenti i Republikës me titullin e lartë “Kalorës i Udhërit të Flamurit”. Viktori ndahet nga jeta, me 8 tetor 2010.