Interi luan nesër në 18:00 në udhëtim për raundin e 26-të në Serie A. Përballë kryesuesve të kampionatit do jetë Leçe e Ylber Ramadanit, që në “Via del Mare” do kërkojë t’i bëjë dëm zikaltërve.
Sipas “Sky Sport” në Itali, trajneri Simone Inzaghi pritet të hedhë nga minuta e parë edhe Kristjan Asllanin. Mesfushori i Kombëtares do marrë vendin në ‘regji’, kjo pasi Calhanoglu nuk është në formën më të mirë dhe pritet të jetë në stol për t’u hedhur në fushë në çdo rast.
Krah Asllanit do jenë Mkhitaryan dhe Frattesi, me Inzaghin që kërkon të bëjë ndryshime të vogla edhe duke parë se përballë kanë Leçen, që duhet thënë se në shtëpi iu ka hapur telashe ekipeve big.
Nëntë pikë më shumë se Juventusi janë të konsiderueshme dhe Inzaghi mund t’ia lejojë vetes të hedhë në fushë emra si Asllani, që kur janë thirrur në apel kanë treguar se mund ta mbajnë fanellën e titullarit.