Katër udhëheqës perëndimorë mbërritën në Kiev të shtunën për të shprehur solidaritet me Ukrainën në përvjetorin e dytë të agresionit të Rusisë, i cili mori dhjetëra mijëra jetë dhe ka shkatërruar ekonominë e vendit.
Kryeministrat e Italisë, Kanadasë dhe Belgjikës,- Giorgia Meloni, Justin Trudeau dhe Alexander De Croo, udhëtuan me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në një tren nate nga Polonia fqinje.
Prania e tyre synon të theksojë angazhimin e Perëndimit për të ndihmuar Ukrainën, ndërsa ajo përballet me mungesë në rritje të furnizimeve ushtarake, duke ndikuar fushën e betejës, ku Moska po mburret me fitoret e saj.
Zonja Von der Leyen shkroi në platformën e mediave sociale X se ajo ishte në Kiev “për të vlerësuar rezistencën e jashtëzakonshme të popullit ukrainas”. Ajo nënvizoi se “më shumë se kurrë, ne qëndrojmë fort pranë Ukrainës. Financiarisht, ekonomikisht, ushtarakisht, moralisht. Derisa vendi të jetë më në fund i lirë”.
Kryeministrja Meloni dhe kryeministri Trudeau pritet të nënshkruajnë pakte sigurie me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy gjatë qëndrimit të tyre të shkurtër, në përputhje me marrëveshjet e arritura së fundmi me Francën dhe Gjermaninë që kapin vlerën e miliarda dollarëve.
Megjithatë, 61 miliardë dollarë ndihma të premtuara nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, po bllokohet nga republikanët në Kongres, duke hedhur një hije të rëndë mbi shpresat e Kievit për t’iu kundërvënë ushtrisë ruse shumë më të madhe dhe të pajisur më mirë.
Presidenti Biden do të marrë pjesë në një video-konferencë të udhëheqësve të grupit të shtatë demokracive kryesore të shtunën, e cila do të kryesohet nga kryeministrja Meloni, me presidentin të ftuar për t’iu bashkuar diskutimit.
Italia e cila mban presidencën e radhës të G7-tës, organizoi konferencën duke thënë se ishte jetike për të sfiduar perceptimet se perëndimi është lodhur nga konflikti dhe se Rusia do të fitojë.
Kur tanket dhe këmbësoria ruse kaluan kufirin para agimit të 24 shkurtit të vitit 2022, 40 milionë banorë të Ukrainës sfiduan pritshmëritë duke i frenuar ato dhe duke parandaluar një disfatë të parashikuar gjerësisht.
Por ndërsa lufta po hyn në vitin e tretë, pengesat në frontin lindor e kanë bërë ushtrinë ukrainase të duket e brishtë.
Duke kërkuar të ruajë përqendrimin perëndimor në Ukrainë, edhe pse lufta midis Izraelit dhe Hamasit dominon titujt kryesorë, presidenti Zelenskiy ka paralajmëruar se Rusia, e udhëhequr nga presidenti Vladimir Putin, mund të mos ndalet në kufijtë e Ukrainës nëse del fitimtare.
Presidenti Putin i hedh poshtë pretendimet e tilla si të pakuptimta. Ai e konsideron luftën si një përplasje më të gjerë me Shtetet e Bashkuara, për të cilat elita e Kremlinit thotë se synon të copëtojë Rusinë. Perëndimi e sheh pushtimin si një akt të pajustifikuar agresioni që duhet të zmbrapset./ VOA