Pas asaj që ishte denoncuar si zhdukje, fshihej një krim i rëndë në familje. Pëllumb Meta i cili ishte denoncuar i zhdukur 10 ditë më parë, ishte vrarë dhe groposur nga fëmijët e tij, në kasollen e lopës afër banesës së tij në fshatin Shënavlash të Durrësit.
Vrasja ishte kryer mesditën e 10 shkurtit në një nga dhomat e banesës. Më 13 shkurt djali i madh i viktimës 25 vjeç bën denoncimin në polici.
Më 22 shkurt policia gjen të varrosur 50 vjeçarin në banesë ndërsa ekspertiza mjeko ligjore konfirmon se ai ishte vrarë me 4 plumba. E një ditë më pas policia arreston dy djemtë e viktimës dhe vajzën e tij ndërsa nis hetimet për nënën e tyre, 49 vjeçe e cila fshehu krimin.
Sipas policisë djali i madh Hyseni, 25 vjeç dhe vajza e vogël, Hygerta, 19 vjeçe janë bashkëautorë në vrasjen e të atit ndërsa djali tjetër Amarildo, 21 vjeç, ka ndihmuar vëllanë dhe motrën për fshehjen e kufomës. E ëma Blerina akuzohet se fshehu krimin.
Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë së Durrësit, Skënder Hita doli sot pasdite në një konferencë për median ku zbardhi gjithë dinamikën e asaj ngjarje që kishte nisur me denoncimin e 25 vjeçarit më 13 shkurt në polici se i ati ishte zhdukur.
“Nga intensiteti i veprimeve hetimore u arrit të konkludohej më 22 shkurt se nuk kishim të bënim me zhdukje por krimin e rëndë të vrasjes në familje. Të dy fëmijët e viktimës, Hysen Meta, 25 vjeç dhe vajza H.M, 19 vjeçe, kanë qenë bashkëautorë në këtë krim të rëndë. Ndërsa djali tjetër Amarildo Meta me veprimet e tij aktive ka ndihmuar vëllanë dhe motrën për fshehjen e kufomës. Hetohet në gjëndje të lirë, Blerina Meta, 49 vjeçe nëna e tre fëmijëve pasi ka kryer veprime që pengojnë të vërtetën” deklaroi Hita.
Vrasja ndodhi mesditën e 10 shkurtit 2023 brenda në një dhomë në banesë, tre ditë para se 25 vjeçari i cili konsiderohet dhe njeriu që ka shkrehur pistoletën, të ketë bërë denoncimin në polici. Më pas trupi i viktimës është transportuar dhe varrosur në kasollen që ndodhej afër.
Policia zbardhi dhe motivin e krimit.
“Shtetasit kanë deklaruar se motivi i vrasjes kanë qenë konfliktet e vazhdueshme që kanë pasur dhe nxitja prej babait për një periudhë kohe që vajza të fejohej pa dëshirën e saj”
Hysen Meta ka pranuar krimin në polici pasditen e sotme, ndërsa gjatë ditës ishte vajza 19 vjeçare e cila merrte përsipër krimin duke deklaruar se e kishte kryer vrasjen pasi donte ta fejonte pa dëshirën e saj, por deklaratat e saj nuk e bindnin policinë. Arma e krimit pistoletë model 54 u gjet në një kënetë pranë fshatit.
Familja ishte me origjinë nga fshati Shën Mëri i Krujës përbëhej prej 6 anëtarësh, burri, gruaja, 2 djem e 2 vajza. Viktima punonte si roje tek tregu i makinave.