Një ngjarja sa e rëndë, sa dhe e pazakontë vjen mëngjesin e kësaj të premteje nga fshati Shënavlash i Durrësit. Një 50-vjeçar u gjet i vrarë dhe i varrosur në shtëpinë e tij, një krim për të cilin policia ka vënë në pranga të bijën. Viktima është Pëllumb Meta, ndërsa autore e dyshuar 19-vjeçarja Hygerta Meta. Motivi? Të paktën sipas asaj që ka deklaruar vetë e reja, insistimi i të atit për ta fejuar pa dëshirë.
E gjithë ngjarja në fjalë nisi 10 ditë më parë. Ishte djali 25-vjeçar i cili shkoi në policinë e Durrësit, për të kallëzuar largimin e të atit, pa e ditur që 50-vjeçari ndodhej i varrosur pikërisht brenda rrethimit të banesës së tij.
4 ditë pasi mori denoncimin, policia gjeti fillimisht makinën e 50-vjeçarit të parkuar në aksin rrugor Shënavlash-Sektor Rinia. Në këtë pikë, nën dyshimet se Pëllumb Meta ishte zhdukur policia intensifikoi hetimet dhe arriti të siguronte prova që në fakt treguan se ai ishte vrarë.
Trupi i tij u gjet i mbështjellë me qese dhe i groposur në kasolle, mëngjesin e kësaj të premteje (Lexo më shumë).
19-vjeçarja, studente në Tiranë, e ekzekutoi të atin me armë zjarri, dyshohet me një pistoletë që viktima e kishte pa leje. Sipas policisë, e reja e ka pranuar krimin e rëndë dhe ka deklaruar se përveç insistimit për ta fejuar, palët kishin edhe konflikte të tjera familjare.
Ajo mësohet të jetë shprehur se e vrau atë në katin e 2 të shtëpisë, më pas e mbështolli me qese dhe e groposi në kasolle.
Policia thotë se vijon hetimet e thelluara për të identifikuar dhe vënë përpara përgjegjësisë ligjore persona të tjerë që mund të jenë të implikuar në këtë ngjarje. Për këtë arsye në polici janë shoqëruar bashkëshortja dhe 3 fëmijët e tjerë të çiftit, nën dyshimin se mund të jenë të përfshirë, apo të kenë dijeni për këtë ngjarje (Lexo më shumë).
“Pavarësisht se vajza pretendon dhe këmbëngul që gjithë krimin e ka kryer vetë dhe fshehjen e trupit të tij e ka bërë po vetë, për hetuesit konsiderohet diçka e pamundur dhe në momentin që ka ndodhur ngjarja policia dyshon se pjesëtarë të tjerë të familjes kanë qenë prezentë”, raporton gazetarja, e cila shton se viktima ishte person autoritar, por nuk ishte raportuar asnjëherë si i dhunshëm nga familja e tij.
Ndërkohë, trupi i 50-vjeçarit është zhvarrosur nga shtëpia e tij dhe është transportuar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për kryerjen e ekspertizës së mëtejshme. Pritet që ekspertët të përcaktojnë edhe kohën kur ai u vra.
Gazetarja Arapi, e cila ndodhet në vendin e ngjarjes, përcolli edhe reagimet e para të të afërmve të viktimës. Për gazetaren ka folur krushku i 50-vjeçarit, të cilit djali i ka për nuse vajzën tjetër të Pëllumb Metës. Ky i fundit ishte baba i 2 djemve dhe 2 vajzave.
“Ne e njohim për familje shumë të mirë. Nuk kemi pasur asnjë lloj dyshimi se çfarë konfliktesh kanë në shtëpi. Për zhdukjen ka rreth 2 javë që na kanë thënë, që nuk ka ardhur në shtëpi, ka humbur. U interesonim, pyesnim nëse është gjetur, absolutisht. Më vonë kemi marrë vesh që është gjetur makina tek Parku rinia. Sot na njoftuan që është gjetur”, tregoi krushku i viktimës.
I njëjti e njeh edhe vajzën 19-vjeçare që është arrestuar si autore e dyshuar e krimit. Ai thotë se Hygerta nuk vriste dot një pulë, e jo më një njeri. “Dëgjo nuk dua të futem në këto çështje, se këto janë çështje personale, familjare, ajo vajza nuk mbyt dot një pulë, jo njeri”, tha ai.
“Më datë 13.02.2024, rreth orës 22:30, shtetasi H. Meta, 25 vjeç, banues në fshatin Shënavlash Durrës, ka kallëzuar në Polici se ishte larguar nga banesa, babai i tij, Pëllumb Meta 50 vjeç, banues në Shënavlash, Durrës, dhe se kishin humbur kontaktet me të. Pas këtij kallëzimi, shërbimet e Policisë kanë nisur menjëherë kërkimet dhe më datë 17.02.2024, bënë të mundur gjetjen e automjetit të Pëllumb Metës, të parkuar në aksin rrugor Shënavlash-Sektor Rinia. Grupi i posaçëm hetimor i ngritur për këtë rast, në drejtimin e Prokurorisë, vijoi hetimet dhe kërkimet, pasi dyshohej se 50-vjeçari ishte zhdukur.
Si rezultat i hetimeve të thelluara u bë e mundur zbardhja e zhdukjes së Pëllumb Metës. Nga provat e siguruara dyshohet se ky shtetas nuk ishte zhdukur, por ishte vrarë në banesë. Gjithashtu, nga hetimet dyshohet se autore e vrasjes së 50-vjeçarit është vajza e tij, Hygerta Meta, 19 vjeçe, e cila është arrestuar për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”. Hygerta Meta ka deklaruar se motivi i vrasjes ka qenë nxitja prej babait, për t’u fejuar pa dëshirën e saj, si dhe konfliktet familjare që kanë patur. Grupi i posaçëm hetimor po vijon hetimet e thelluara për të identifikuar dhe vënë përpara përgjegjësisë ligjore, shtetas të tjerë të implikuar në këtë ngjarje.
Trupi i Pëllumb Meta është zhvarrosur dhe është transportuar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për kryerjen e ekspertizës së mëtejshme”, tha policia e Durrësit në njoftimin e saj për mediat./tvklan.al