Policia franceze ka zbuluar një arsenal armësh në një fshat të Francës, të cilat ishin të fshehura në shtëpinë e një vreshtari. Sipas mediave vendase, vreshtari është njëkohësisht edhe këshilltar në komunën e fshatit.
Në banesën e tij në Moulidars, policia gjeti dhe sekuestroi 39 pushkë, 3 pistoleta, një mitraloz, një kallashnikov dhe 300 mijë Euro cash. Autoritetet dyshojnë se ai është i përfshirë në trafik armësh dhe është i lidhur me mafian shqiptare.
Vet këshilltari komunal i shpjegoi policisë se ra në kontakt me një shqiptar në një zonë të pyllëzuar. Shqiptari i kërkoi që t’i blinte disa armë, dhe më pas u bind që t’ia shiste. Megjithatë, ai ka mohuar që të jetë i përfshirë në trafik armësh dhe ka këmbëngulur që armët i ka koleksion. Autoritetet nuk janë bindur nga pretendimet e tij dhe e kanë arrestuar. Dyshohet se vreshtari u shet armët trafikantëve të drogës në veri të Nantes.
Komuniteti lokal në fshatin prej 700 banorësh është tronditur nga kjo ngjarje. Kryetari i komunës tha se të gjithë e njohin njëri-tjetrin dhe nuk kishin asnjë informacion që personi në fjalë të kishte arsenal armësh. “Të gjithë njihemi me njëri-tjetrin, nëse do të kisha dijeni do të lajmëroja policinë“, tha një tjetër banor. /tvklan/