Ai njihej si “gjenerali me qeleshe të bardhë”.
Nuk e hiqte kurrë kostumin popullor dhe thuhet se mbante një kobure të fshehur kudo që shkonte.
Ishte njeriu i fortë i Ismail Qemalit dhe organizoi forcat e armatosura për mbrojtjen e Qeverisë së Përkohshme të Vlorës.
– Publicitet –
Kthesa fatale e jetës së tij duket se nisi një vit pas shpalljes së pavarësisë në Vlorë, me përfshirjen e Kosovës nën Jugosllavinë, sipas vendimeve të Fuqive të Mëdha në takimin e Londrës më 1913.
Legjendat për vrasjen e tij janë të shumta, por një botim i vitit 1971 jep me detaje një skenë krimi ku duket se janë implikuar autoritetet malazeze dhe diplomatët francezë të kohës.
Botimi i 1971 jep një dëshmi të nipit të mbijetuar nga ngjarja, Tafil Boletinit.
Në vitin 1915, malazezët pushtojnë Shkodrën. Isa Boletini kërkoi ndihmën e ndërkombëtarëve. Francezët ofrohen dhe konsulli i tyre në Shkodër, i thotë Isa Boletinit dhe njerëzve të tij që të shkojnë në Ambasadën Franceze në Cetinë, asokohe kryeqytet i Malit të Zi, nga ku do të merrnin vizë për të shkuar në një vend neutral.
Anglezët, më bujarë, e ftojnë Boletinin ta marrin nën mbrojtje, por nisur nga ligjet e maleve, ai preferon “mikun që i hapi derën i pari”
Boletini dhe njerëzit e tij mbërrijnë në Cetinë dhe fillimisht bëjnë një vizitë në ambasadën franceze.
Pak orë më pas, në mëngjes, Isa Boletini sheh se shtëpia ku rrinte ishte rrethuar me xhandarë malazezë.
Ata e shoqërojnë atë bashkë me njerëzit më të afërt në Danilograd dhe më pas në Podgoricë.
Më 23 janar 1916, në ditën kur malazezët po u dorëzonin kryeqytetin pa luftë austriakëve, është dhënë urdhri për vrasjen e Boletinit.
Ja rrëfimi i Tafilit, nipit të Isa Boletinit, që i mbijetoi ngjarjes, sipas librit të Skënder Luarasit, cituar sot nga DITA:
“Rreth 80 xhandarë ishin në të dyja anët e urës së Ribnicës, karshi prefekturës, afër kishës katolike.
Unë me dy vëllezërit, sipas lajmërimit po ktheheshim për në shtëpi, te axha Isë.
Patrulla në krye të urës na ndali. Xhandarët pyesin: Kush asht Isa Boletini?! Por oficeri ndërhyn duke u thënë: Mos shtini, nuk është asnjë nga këta!”.
Në këtë kohë Isa Boletini, vetë i tetë, kishte hedhur hapat e parë në dërrasat e urës së Ribnicës. Një oficer u kërkon të dorëzojnë armët, por Isa Boletini kundërshton.
I pari që shtie ishte njëfarë Pero Buriqi nga Vasoviçi.
Menjëherë flakë për flakë përgjigjet edhe Isa Boletini dhe të tijtë me nga dy revolverë në duar.
Brenda disa minutave, vriten të gjithë, Isa Boletini dhe dy të bijtë, Halili dhe Zahidi, që ishte student në Vjenë, dy nipërit, Jonuzi dhe Halili, Hajdar Selim Radisheva, kunati i Isait, djali i vëllait të Hajdarit, Idriz Bilimi dhe Misin Bala nga Isniqi”.