Vetëm 15 minuta seancë i mjaftuan mazhorancës socialiste për të kaluar me 72 vota pro ligjin për rihapjen e basteve sportive.
Mes bilbilave dhe kaosit të krijuar nga deputetët e Rithemelimit dhe grupit Bardhi, Kuvendi i Shqipërisë i dha “OK”, këtë të enjte, projektligjit “për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.155/2015, “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”.
Propozimi u miratua vetëm me votat e socialistëve në tërësi dhe nen për nen (34 nene). Të vetmit që abstenuan nga radhët e socialistëve janë ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, dhe deputeti Erjon Braçe, ndërsa në sallë mungonte kryeministri Edi Rama.
Ndryshimet në projektligjin për lojërat e fatit parashikojnë rikthimin e basteve sportive vetëm online, pas më shumë se 5 vitesh, nga koha kur qeveria mbylli mijëra pika fizike në të gjithë territorin.
E drejta për ta ushtruar këtë aktivitet do t’i jepet vetëm 10 operatorëve dhe përzgjedhja e tyre do të realizohet nëpërmjet një komisioni të veçantë.
Socialistët po ashtu votuan propozimin për të shpallur 22 nëntorin, një festë zyrtare. Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe do të jetë ditë pushimi, duke nisur nga ky vit.
Kongresi i Manastirit shënohet si ngjarja më e madhe historike e kombit tonë dhe vlerësohet për rëndësinë e tij të institucionalizimit të alfabetit të gjuhës shqipe.