Në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit është rihedhur shorti për shqyrtimin e ankimimit të dy prokurorëve të pezulluar nga detyra, Dritan Gina dhe Rovena Gashi. Kujtojmë se herën e parë, në përbërje të shortit pati një anëtar që kishte konflikt interesi dhe u vendos që të rihidhej shorti.
Kështu, përmes një njoftimi për mediat, KPA ka sqaruar ditën e djeshme se pas hedhjes së shortit të dytë, ankimimi i Ginës dhe Gashit do të shqyrtohet nga Luan Daci, Rezrta Schuetz, ndërsa relatore e çështjes do të jetë Ina Rama.
“Në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, më datë 17.05.2018, është paraqitur ankimi me palë ankuese znj.Rovena Gashi dhe z. Dritan Gina, me objekt: Anulimin e vendimit nr. 140, datë 11.05.2018 të Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, Arta Marku, dhe anulimin e vendimit nr.141, datë 11.05.2018 të Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme Arta Marku etj.”, shkruan njoftimi. Kujtojmë se Gina dhe Gashi janë pezulluar nga detyra me urdhër të Markut, pasi ndaj tyre ka një hetim të hapur nga Prokuroria e Fierit për fshehje të pasurisë.
Ata janë përplasur publikisht me Kryeprokuroren Marku, të cilën e kanë akuzuar edhe për shpërdorim detyre. Kujtojmë se disa ditë më parë, përmes një letre publike, Gashi ka akuzuar edhe kryetaren e KPA-së, Natasha Mulajn, se ka zvarritur ankimimin e tyre në KPA. Pas hedhjes së shortit në KPA, tani pritet që të merret edhe një vendim në lidhje me datën dhe orën e seancës.