Avokati i njohur Arben Llangozi ka bërë sot një denoncim tronditës. Sipas tij, një gjyqtare e Tiranës dyshohet se ka hedhur vjehrrën nga ballkoni, kati i pestë i pallatit në vitin 2019, ngjarje e cila është raportuar si vetëvrasje.
Sipas tij, gjyqtarja ka përdorur batanijen me të cilën ishte mbuluar vjehrra për të mos lënë shenja gishtash, teksa ditën e krimit, kanë qenë të dyja vetëm në banesë dhe mungonte shërbëtorja.
Ky denoncim ka vendosur në lëvizje Policinë e Shtetit, e cila po rivlerëson rrethanat e ngjarjes.
Prapaskena ka mësuar edhe emrin e gjyqtares së dyshuar, për të cilën përflitet se është arratisur nga Shqipëria.
Dyshohet për një gjyqtare, e cila dy vitet e fundit është përfshirë në disa skandale deri në kufijtë e të pabesueshmes, disa nga të cilët pritet të konfirmohen nga drejtësia, duke shokuar opinionin publik.
Bëhet fjalë për një festë që u kthye në orgji, sulme seksuale në ambiente publike, sadomazokizëm, fabrikime, inskenime, falsifikime, përndjekje, deklarata tronditëse, intimidime etj., që të gjitha gati të pabesueshme nga një mendje normale, aq më tepër kur bëhet fjalë për një magjistrate dhe gjykatën kryesore në Tiranë.
Disa nga skandalet janë mbajtur larg syve dhe veshëve të gazetarëve dhe publikut, por disa episode jo vetëm kanë nisur të rrjedhin në media, por janë hapur edhe dosje penale.
Dyshimet janë të forta për një çrregullim mendor, i cili ka ardhur duke u përkeqësuar, por që shenjat e të cilit shfaqen vetëm në momente të caktuara.
Ndoshta vetëm specialistë të shëndetit mendor mund të përcaktojnë një diagnozë, por një rreth i ngushtë me prokurorë, avokatë, gjyatarë dhe gazetarë, flasin për një rast të çuditshëm dhe të paprecedentë.
Disa muaj më parë, disa burime sinjalizuan Prapaskenën se një gjyqtare e Tiranës ngacmonte seksualisht dhe madje dhunonte kolegët e saj prokurorë dhe gjyqtarë.
Burimet raportonin se gjyqtarja kapte në befasi disa prokurorë tek organet gjenitale. Gjithnjë sipas disa burimeve, gjyqtarja thërriste në zyrë prokurorë që i kishte pikasur, dhe duke biseduar për çështje të caktuar, në befasi, u kapte organet gjenitale. ‘Viktimat’ shashtisnin, disa zverdheshin dhe skuqeshin, disa largoheshin të shokuar dhe ndonjë mund të t’i përgjigjej.
Në një rast, gjyqtarja sulmoi tek organet gjenitale një prokuror gjatë shkëmbimit në korridoret e gjykatës, të cilit nga tronditja i ranë dosjet në dysheme.
Meqenëse këto sinjalizime ishin thjeshtë të pabesueshme dhe të parrokshme nga një mendje normale, nuk mund të raportoheshin.
Por, tashmë është zyrtare se disa nga thashethemet më të pabesueshme në Gjykatën e Tiranës, janë kthyer në çështje penale dhe shumë shpejt do të ketë edhe vendime të Prokurorisë dhe Gjykatës.