Ushtria izraelite thotë se liroi dy pengje izraelite që ishin rrëmbyer nga Hamasi më 7 tetor, pas një bastisje në Rafah, mes raporteve për sulme të rënda ajrore izraelite në qytetin jugor të Gazës. Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) thonë se pengjet e liruar janë në “gjendje të mirë shëndetësore” dhe se ata janë dërguar në një spital izraelit për kontroll.
Në një deklaratë në mediat sociale, IDF tha se gjatë një “operacioni të përbashkët brenda natës midis IDF, ISA [Agjencia e Sigurisë së Izraelit] dhe Policisë së Izraelit, u shpëtuan dy pengje izraelite nga Kibbutz Nir Yitzhak: Fernando Simon Marman, 60 vjeç, dhe Louis Har, 70 vjeç. Ministri i Mbrojtjes Yoav Gallant e përshkroi operacionin e shpëtimit si “mbresëlënës”. Ai shtoi: “Ne do të vazhdojmë të përmbushim zotimin tonë për t’i kthyer të rrëmbyerit, në çdo mënyrë.”
IDF postoi gjithashtu një pamje të natës të një helikopteri duke u ulur në një vend të paspecifikuar. Është e paqartë nëse ky avion është përdorur për të transportuar pengjet në spitalin izraelit. Mediat izraelite raportojnë se pengjet ishin mbajtur në katin e dytë të një ndërtese në Rafah.
Nga ana tjetër, Hamasi thotë se ‘operacioni’ gjatë natës i forcave izraelite në Rafah, ku u shpëtuan dy pengjet, rezultoi në rreth 100 të vdekur. Hamasi thotë se ky ‘operacionin’ është një vazhdim i “luftës gjenocidale” dhe tentativës për zhvendosje të detyruar kundër popullit palestinez. Hamasi thotë se sulmet në Rafah ishin një “masakër e kryer nga ushtria izraelite” dhe fajëson Shtetet e Bashkuara “për dhënien e dritës jeshile ndaj Netanyahut”.