Lorin Xhelilaj, punonjës në një bankë të nivelit të dytë në Tiranë, u arrestua nga policia, pasi akuzohet se nëpërmjet mashtrimit ka përvetësuar 215 mijë euro. Gjatë operacionit të koduar “Transporter” policia i sekuestroi 38-vjeçarit, 108 mijë euro.
Shumën e konsiderueshme të parave, sipas policisë, i arrestuari ia ka marrë një 26-vjeçari, Denis Buzali, me pretekstin se do t’i siguronte nxjerrjen e pasaportës bullgare, si dhe do ta bënte aksioner, në një kompani private në Turqi.
Denis Buzali ia kishte dhënë paratë Lorin Xhelilajt rreth 8 muaj më parë, të ardhura nga bizneset e tij dhe të familjes me premtimin e pasaportës dhe aksioneve, pasi kishte synim që të zgjerohej në biznes edhe jashtë, mëson gazetari i Report Tv Sokol Dema. Kohë pas kohe i ka kërkuar Xhelilajt për pasaportën dhe aksionet në Turqi, por 38-vjeçari është justifikuar duke i thënë “më jep dhe pak kohë, do i bëjmë së shpejti”.
Në javët e fundit Buzali ka nisur të dyshoj se mund të jetë mashtrim dhe i ka kërkuar Xhelilajt kthimin e parave mbrapsht, ndërsa ky i fundit i ka thënë do ia kthente sepse pasaporta dhe aksionet nuk po i bënte dot.
Megjithatë, për momentin paratë nuk i kishte, pasi sipas tij i kishte investuar dhe do ia jepte Buzalit në një moment të dytë. Në kushte të tilla, Denis Buzali i është drejtuar policisë për të denoncuar rastin. Krimk Ekonomik, pas hetimit organizoi operacionin dhe Lorin Xhelilajt iu gjetën vetëm gjysma e parave që kishte marrë nga Buzali.
‘Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën ekonomiko-financiare dhe vënien e autorëve përpara përgjegjësisë penale, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Transporter’.
Si rezultat i këtij operacioni, u bë ndalimi i shtetasit L. Xh., 38 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas ka përvetësuar, nëpërmjet mashtrimit, shumën 215 000 euro, nga një 26-vjeçar,me pretekstin se do ti siguronte atij nxjerrjen e pasaportës bullgare, si dhe do ta bënte aksioner, në një kompani private në Turqi.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 108 600 euro.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.’- njofton policia