Presionet ndaj SPAK dhe përpjekjet e binomit Berisha-Malltezi, për ta cilësuar gjyqin ndaj tyre sa i takon aferës së privatizimit të ish-kompleksit “Partizani” si komplot politik duket se nuk kanë “pirë ujë”. Ish-kryeministri Sali Berisha dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi kanë marrë dje një goditje të dyfishtë.
Fillimisht tronditjen atyre ua ka dhënë Gjykata e Lartë dhe më pas Gjykata e Posaçme (GJKKO). Më konkretisht, Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi vendimin për sekuestrimin e dokumenteve në zyrën Pustina gjatë kontrolleve të zhvilluara me kërkesë të Prokurorisë Speciale (SPAK) në funksion të hetimeve për privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”.
Ka qenë biznesmeni Fatmir Bektashi i cili në dëshminë që ka dhënë në SPAK, ka treguar se roli i tij në përpilimin e dokumenteve të kompanisë së ndërtimit “Homeplan”, që ngriti 19 kulla banimi tek fusha e ish-kompleksit “Partizani” ka qenë thuajse në hije. Sipas tij, të gjitha dokumentet i bënte Andia Pustina, e besuara e Jamarbër Malltezit. Dokumentet e gjetura nga sekuestrimi i kompjuterave të studion e kontabilitetit të Andia Pustinës e besuara e Jamarbër Malltezit rezultoi se dhëndri i Sali Berishës ka marrë mijëra euro cash ndër vite të gjitha të padeklaruara nga shoqëria “Homeplan”.
Në një prej dokumenteve të sekuestruara në ambientet e studios së kontabilitetit vërtetohet se dhëndrit të Sali Berishës i janë dhënë 547 mijë euro cash. Vetë Malltezi, dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha dhe Xhimi Begeja, rezultojnë të kenë qenë pronarët në hije me 60% të aksioneve në kompaninë e ndërtimit “Homeplan”, që ngriti 19 kulla banimi tek fusha e ish-kompleksit “Partizani”.
Dy personat kishin lidhur një marrëveshje verbale me biznesmenin Fatmir Bektashi dhe përfitimet financiare nga “Homeplan” i merrnin përmes llogaritjes së dividentit. Eurot ose lekët merreshin cash dhe përmes transaksioneve bankare. Dhëndri i Berishës, u arrestua në Rinas në 20 tetor, nën akuzën e “korrupsionit” dhe “pastrimit të parave” në dosjen e ish-kompleksit “Partizani”. Ai u mbajt në paraburgim derisa më 21 nëntor 2023 Olldashi liroi nga qelia e paraburgimit dhëndrin e ish-kryeministrit.
Izolimi i Berishës në shtëpi
Por nuk ndalet me kaq, pasi edhe Gjykata e Posaçme i ka dhënë një goditje ish-kryeministrit Sali Berisa, e cila ka refuzuar kërkesën e tij, që të lejohet të marrë pjesë në seancat parlamentare. Kjo do të thotë se Berisha seancat do t’i ndjekë nga shtëpia dhe televizori. Kujtojmë se Sali Berisha është në masë sigurie “arrest në shtëpi” pasi akuzohet për korrupsion me privatizimin e pronave të ish-kompleksit “Partizani”.
Por ish-kryeministri pretendon se ka të drejtë të ushtrojë funksionin e tij si deputet. Për këtë arsye ai përmes avokatëve ju drejtua Gjykatës duke i kërkuar që të lejohet të marrë pjesë në seancat parlamentare që mbahen kryesisht të enjteve. Kjo ishte kërkesa e dytë e bërë prej tyre. Në 1 shkurt gjyqtarja Irena Gjoka e shty seancën sepse kërkesa ishte firmosur nga vajza e Berishës. Gjyqtarja kërkoi që të firmoset nga vetë i akuzuari. Sot u mbajt seanca dhe gjyqtarja ka vendosur që ai të rrijë në izolim duke mos dalë nga banesa.
Çfarë ka ndodhur?
Ndërkohë kujtojmë Sali Berisha dhe Malltezi janë marrë të pandehur për abuzime me privatizimin e pronave te ish-Kompleksi “Partizani”. Prokuroria shprehet se nga ana e ish-kryeministrit është konsumuar vepra penale e “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal. Ndërsa Malltezi dyshohet se ka konsumuar veprën penale të “Korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”.
“Në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë kryer veprime konkrete dhe aktive, në miratim ligjesh apo aktesh nënligjore, me qëllim përshtatjen e tyre sipas nevojave që paraqiteshin për pesë familjet e njohura pronare, ku fitues i drejtpërdrejtë ndër të tjerë, rezultonte të ishte bashkëshorti i vajzës së tij, shtetasi J. M.
Nga ana e shtetasit S. B., në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë kryer veprime aktive për kryerjen e kontrolleve administrative, me qëllimin e ushtrimit të presionit dhe dhënien e urdhrave konkrete, për konkludimin e procedurave të privatizimit, në favor ndër të tjerë, edhe të shtetasit J. M., bashkëshorti i vajzës së tij”, shprehet SPAK për Berishën.