Progresi i jashtëzakonshëm në turizëm vitet e fundit ka bërë që Shqipëria të jetë e gatshme për zgjerimin e saj në fushën e aviacionit dhe ndërtimin e aeroporteve të tjera përpos atij historik, të Rinasit.
Gjirokastra do jetë qyteti në të cilin do të ngrihet porta e dytë hyrëse ajrore në jugun e vendit, krahas atij të Vlorës, që është “në kantier”.
Ndërtimi i aeroportit në Gjirokastër pritet të fillojë gjatë këtij viti.
Për të hedhur dritë mbi këtë projekt të madh, e cili do jetë një serum ekonomik për zonën dhe mbarë jugun e Shqipërisë, të ftuar në “Studio Live” me Report Tv me Arbër Hitajn, ishin eksperti i aviacionit civil, Altin Progonati dhe eksperti i ekonomisë, Fatos Çoçoli.
Çoçoli tregoi se vendimi për ndërtimin e një aeroporti në Gjirokastër, erdhi pas shumë analizave dhe studimeve të cilat fillimisht ishin të përqendruara në Sarandë, por për një sërë arsyesh kjo e fundit nuk plotësoi kushtet për një investim të tillë..
“Në nivel të asaj zgjedhjes ekonomike është menduar që është më mirë Gjirokastra pasi përfshin më mirë jugun, kap Përmetin, kap pjesë të tjera të rëndësishme të jugut dhe ndërkohë ka disa anë të tjera teknike që do t’i thotë zoti Progonati, por ishte më një betejë të fortë me planin por të ndërtuar aeroportin të dytë të jugut në Sarandë.
Zgjedhja është përfundimtare dhe ne presim vetëm të zhvillohen procedurat”,-tha Çoçoli.
“Këtë vit bëhet studimi i leverdisshmërisë, bëhet tenderi ndërkombëtar dhe do mbyllet kontrata. Në rast se do ketë investues qoftë vendas qoftë të huaj që do ta marrin përsipër, aq më mirë për ne se nuk do të ketë para nga buxheti i shtetit dhe aeroporti do të funksionojë pa derdhur ndonjë qindarkë aty”,- shtoi ai.
Ndërsa eksperti i aviacionit civil, Altin Progonati, arsyetoi shkaqet teknike të përjashtimit të Sarandës nga si alternativ për ndërtimin e aeroportit të dytë të jugut.
“Në mendimin tim Saranda kishte disa vështirësi nga ana teknike pasi ndodhet shumë afër aeroporti të Korfuzit dhe kemi një ndërthurje të zonave ajrore, pra në momenti e hyrjes së avionëve, ajo është një problematikë më vete. Dhe hapësira në tokë, dhe ajo ka problemet e veta, kurse Gjirokastra është më e favorizuar në këtë aspekt”,-tha Progonati.
Progonati deklaroi se një aeroport i atij niveli është i gatshëm të presë 600 mijë deri në 1.5 milion pasagjerë në vit, si dhe ka një kosto totale ndërtimi nga 50 në 70 milionë euro.
“Kapaciteti do të jetë i mesëm, mbi kapacitetin e fluturimit të shtohet dhe kapaciteti mësimor. Një aeroport i asaj kategorie mund të shkojë nga 600 mijë në 1 milion e gjysmë pasagjerë në vit”,-tha Progonati.
“Për një aeroport të këtyre përmasave nga 50 në 70 milionë euro janë mjaftueshëm”,- shtoi ai.