Partia Socialiste vijon negociatat me Partinë Demokratike për të miratuar pr/ligjin për aministinë penale për të cilën duhen 84 vota dhe maxhoranca nuk I ka.
Ministri I Drejtësisë Ulsi Manja në komisionin e ligjeve deklaroi se ishte gati të pranonte propozimin e PD prezantuan nga Enkelejd Alibeaj I cili kërkon që tu amnistohet vepra penale e protestuesve në periudhën 1 tetor 2018 – 31 dhjetor 2020 të cilët vijojnë të jenë në ndjekje penale apo proces gjyqësor.
Sipas pr/ligjit aktual të aministisë përfitojnë 100 persona të cilët kanë marrë dënimin e formës së prerë, kryesisht në shërbim prove.
“Lidhur me ndjekjen penale do e shohim amendamentin që ka depozituar Alibeaj por jam dakord që kjo kategori personash qoftë të dënuar apo në ndjekje penale që kanë të bëjnë me liri politike të qytetarëve pse jo nëse merr votën e deputetëve nuk kemi kundërshtim” tha Manja sot në mbledhjen online të komisionit.
Manja tha se burgjet janë të mbipopulluara dhe se kanë mbi 190 të paraburgosur më shumë sesa kanë kapacitete. Sipas tij, duhet që të t’i përafrohemi standarteve të BE-së sa i takon numrit të paraburgosurve dhe të dënuarve në burgje.
“Jemi plus 190 të paraburgosur dhe të dënuar më shumë sesa kemi kapacitete. Nëse kemi 5818 të paraburgosur dhe të dënuar kapacitetet tona janë plus 190 më shumë. Referuar standarteve të BE, nuk do duhet të kishim këtë numër personash të paraburgosur. 2204 kemi të dënuar dhe po t’u referohemi standarteve të BE do duhet të kishim 30% si maksimum të numrit të paraburgosurve në raport me të dënuarit. Jemi tek 2500 persona të paraburgosur më shumë sesa standartet e BE. Jemi mbi kapacitetet. Amnistia në këtë moment përveç parimeve të tjera, do na shërbejë edhe ne për të na krijuar një mundësi të sistemit siç duhet”- u shpreh Manja.
Por mes të tjerash, ministri theksoi se amnistia është një zgjidhje e përkohshme dhe se për t’u përafruar me standartet e BE-së duhet të mendohen zgjidhje afatgjata.
“Amnistia është një zgjidhje e përkohsshme. Duhet të mendojmë zgjidhje afatgjatë për ta sjellë në standartet që na kërkon BE. Paketën ligjore e kemi në përputhje me standartet e BE por kur vjen puna tek menaxhimi nuk është i tillë”- nënvizoi ministri.
Sipas Manjës, duhet të ketë forma të tjera të masave të sigurisë apo dënimeve. Ai tha se po shikohet mundësia e vënies në punë të mbikëqyrjes elektronike për të dënuarit ndërsa zbuloi se qeveria ka një plan për ndërtimin e strukturave të reja sipas standarteve të BE-së dhe mbylljen e burgjeve të ndërtuara në kohën e komunizmit.
“Masat e sigurimit, jo për çdo gjë duhet të shkohet drejt burgut. Masat alternative të dënimit, janë pushtet që e ka drejtësia. Por e thotë kodi që për veprat që dënohen deri në 5 vite, shërbimi i provës mund të jetë një zgjidhje, pra duhen parë dënimet alternative. Kemi një masterplan të cilit akoma s’e kemi kaluar në qeveri, lidhur me strukturat akomoduese se ku duam të shkojmë deri në 2030. Duhet të mbyllim institucionet e komunizmit dhe të ndërtojmë dy tre struktura të reja”, shpjegoi Manja.