lir Meta po kalon ditët e fundit situatën më të vështirë të jetës së tij. Burime bëjnë me dije se SPAK po shkon drejt përfundimit të hetimeve të dosjes së tij të “zezë” për korrupsion dhe falsifikim formularësh, pastrim parash, fshehje pasurie, mashtrim etj.
Meta pritet që të njihet brenda pak javësh, për të mos thënë ditësh, me akuzat që do të rëndojnë mbi të. Kjo është arsyeja e sulmeve të tij ndaj prokurorëve të SPAK. Këtë fakt e ka konfirmuar për gazetën “SOT”dhe juristi Romeo Kara, i cili paralajmëron arrestimin e ish-presidentit. Ai tha se kryetari i PL-së është në ditë të hallit. Kara mendon se tashmë SPAK është para komunikimit të akuzës për “CEZ-DIA”.
Sipas avokatit, Ilir Meta dukej i trishtuar dhe i pashpresë. “Është në ditë të hallit dhe nuk di se çfarë thotë. Unë mendoj se jemi para një komunikimi akuze, mos të them dhe para një arrestimi. Nga mënyra se si e pashë, e pashë të shqetësuar, e kishte humbur toruan, etikën dhe të gjitha. E pashë të pashpresë”, tha Kara.
Më tej, ai shtoi se pasuria e Metës është e pajustifikuar dhe ka informacione se drejtësia e ka çuar më tej këtë hetim. “Pasuria e tij është e pajustifikuar. Mendoj se jemi drejt përfundimit të procesit të hetimit dhe komunikimit të akuzës, dhe besoj se do kemi komunikim akuze dhe jo pushim të çështjes”, tha ai. Kujtojmë se vetë Kryemadhi deklaroi se SPAK i ka futur nën hetim pasuror si familje.
Sulmet e Metës nga SPAK
I ashpër është treguar dje Ilir Meta me institucionet e reja të drejtësisë, ku sot i sulmoi hapur njëjtë si aleati i tij në arrest shtëpie, Sali Berisha. I pyetur nga gazetarët lidhur me deklaratat e Dumanit se nuk kanë frikë nga presionet politike për të hetuar as Metën e as Ramën, kreu i Partisë së Lirisë adresoi një sulm ‘frontal’ për SPAK dhe drejtuesin e saj.
Në konferencën për media, ai hodhi akuza se prokurorë të lidhur me qeverinë kanë marrë angazhime personale për ta goditur. “Kam qenë gjithë jetën në hetim, e di që gjithashtu prokurorë jo që flirtojnë me politikën, që janë prodhimi më i drejtpërdrejtë të saj kanë marrë angazhime personale për tu marrë me Metën për arsye që i dinë mirë. Unë jam këtu, do jem gjithmonë këtu. Të jeni të sigurt se nuk ka asnjë forcë që mundet të zhbëjë PL si një parti të të vërtetave të mëdha”, tha Meta. Sulmin për Altin Dumanin e adresoi duke e cilësuar si ‘zar’ të ish-kryeprokurorit Arben Rakipi.
“Njëkohësisht nuk ka asnjë zar të Arben Rakipit që për të legjitimuar kapjen e reformës në drejtësi nga Rama përmes shkatërrimit të proceseve kushtetuese, që nga zgjedhja e prokurorëve të përgjithshëm, betimet e anëtarëve të GJK tek Lana, e gjithë ato bëma të tjera, të godasë Ilir Metën që mbrojti reformën në drejtësi. Mbrojtje që u konfirmua edhe nga vetë komisioni i Venecias”, vijoi Meta. Sipas Metës, SPAK është kthyer në komisariat policor të Edi Ramës, për të dëmtuar opozitën.
Kreu i Partisë së Lirisë thotë se nuk i druhet as hetimit të tij, duke refuzuar të komentojë deklaratën e Dumanit, që pranoi hetimin e Metës. “Lidhur me përpjekjet e Ramës për ta kthyer SPAK në një komisariat policor anti-opozitë për të shkatërruar pluralizmin politik nuk jam i surprizuar. Asnjëherë s’kam dashur të identifikoj këtë institucion me individë të caktuar që nuk flirtojnë me politikën, por janë prodhim i saj dhe para se të bënin betime me dorën në Kushtetutë kanë bërë betime të tjera që koha po i provon më së miri”, tha Meta. Me Berishën, që pak ditë më parë u pyet në SPAK për aferën Partizani, Ilir Meta thotë se ka komunikuar në telefon.
Dosjet e tij në SPAK
Drejtësia e re po qep dosjen “CEZ-DIA që mund të fundosë ish-presidentin Ilir Meta. Në 30 vite ai është zhytur në shumë afera, por gjithmonë i ka shpëtuar ndëshkimit. Por dje ka pasur një zhvillim të bujshëm nga SPAK, pasi prokurorët po “zbërthejnë” prapaskenat të një interviste me video që rrezikon të “përvëlojë” kreun e Partisë së Lirisë. Për këtë provë është thirrur dje në SPAK, gazetari Fatos Mahmutaj.
Ai u mor në pyetje në lidhje me një intervistë që i ka marrë bashkëshortes së Kastriot Ismailajt pronar i Kompanisë DIA, i vetmi i ndëshkuar për këtë aferë. Mahmutaj ka zbardhur detaje të reja mbi intervistën që ka realizuar me Vojsava Ismailajn, bashkëshorten e Kastriot Ismailajt pronar i Kompanisë DIA i përfshirë në aferën 400 milion euro të CEZ-DIA.
Vojsava Ismailaj, siç deklaroi Mahmutaj ka akuzuar Metën se i ka bërë presion bashkëshortit të saj, madje “se i ka marrë para”. “Ajo akuzonte Ilir Metën si njeri që i bënte shantazh Ismailajt, i kërkonte para. Më ka thënë se Meta ishte ai person që bënte presion se i duheshin. Ajo më tha se e ka paguar disa herë. Në momentin që nuk e pagoi ai u hodh si një mish për top në organet e drejtësisë për t’u arrestuar”, ka thënë pak kohë më parë Mahmutaj. Nga ana tjetër, prokurori Sotir Kllapi ka në duar dosjen e lobimit.
Nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Qipro ka ardhur përgjigja zyrtare për letërporositë e SPAK-ut, ku konfirmohet se gjatë viteve 2016-2017, Ilir Meta ka shpenzuar qindra mijëra euro për lobim në SHBA, para këto që nuk u dihet burimi dhe që nuk janë deklaruar as në KQZ dhe as në ILDKPKI. Meta mund të akuzohet për pastrim parash dhe falsifikim formularësh. Arben Kraja ka në duar dosjen e shërbimeve estetike.
Nga hetimet është provuar se Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi kanë shpenzuar dhjetëra mijëra euro për dobësim dhe shërbime të tjera estetike në Vjenë dhe San Marino. Shpenzimet nuk janë deklaruar në ILDKPKI. Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi mund të akuzohen për fshehje pasurie dhe pastrim parash. Të tre dosjet kanë faktuar lëvizjen e parave./SOT