Mungesa e Gjykatës Kushtetuese mund të jetë pengesë për firmosjen e marrëveshjes së detit nga presidenti i Republikës. Burimet nga Presidenca bënë me dije se Ilir Meta ende nuk ka vendosur nëse do ta kushtëzonte firmën e tij me krijimin e Gjykatës Kushtetuese, kjo pasi në mungesë të Kushtetueses si garanti suprem, presidentit do t’i binte pesha e të qenit i vetmi garant. Vetë Meta shmangu një përgjigje direkte kur u pyet nga gazetarët, por duke deklaruar shqetësimin e tij për Kushtetuesen.
“Dua të shpreh kënaqësinë për konfirmimin e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, zotit Dedja. Është e domosdoshme që të kemi sa më shpejt një Gjykatë funksionale dhe të përgjegjshme për ti dal për zot kushtetutës së vendit dhe gjithë debateve lidhur me kushtetuetshmërinë e ligjeve apo akteve të ndryshme”, u shpreh Meta.
Në këto kushte vjen interesante ndërhyrja e presidentit me një thirrje ndaj Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, i cili nuk po seleksionon kandidatët për Gjykatën Kushtetuese me argumentin se anëtarët e tij nuk kanë hyrë ende në vetting.
“KED të funksionojë më shpejt për të vlerësuar kandidaturat që kanë paraqitur në përputhje me procedurat Kushtetuese e ligjore si nga Presidenti ashtu dhe nga Kuvendi”, theksoi Presidenti.
Deklaratat e Ilir Metës vijnë një ditë pas takimit me kryeministrin Edi Rama, ku është folur për shpejtësi dhe kushtetutshmëri në arritjen e paktit detar.