GJKKO urdhëron SPAK plotësimin e hetimeve lidhur me dosjen për të cilën janë të pandehur ish kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako dhe 10 të tjerë. GJKKO i kërkoi sot SPAK të realizohet akt ekspertimi për shëtitoren të cilës pretendon se iu rrit vlera me dhjetëfish duke i shkaktuar shtetit një dëm prej 18 milionë lekësh
SPAK ka 25 ditë kohë realizojë akt ekspertimin.
Vangjush Dako akuzohet për “shpërdorim detyre” në dy raste, njëra ka të bëjë me shëtitoren e tjetra me lejen e pallatit 7 katësh por që u ndërtua 11 kate dhe u dëmtua nga tërmeti.
Gjyqtarja e Gjykatë e Posaçme, Flojera Davidhi, mbi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme sot në seance paraprake, vendosi plotësimin e hetimeve në çështjen objekt gjykimi. Veprimet hetimore do te kryhen deri ne seancen e rradhes, që do të zhvillohet në datën 27 shkurt 2024, ora 12:00.
Ende nuk ka një vendimmarrje nëse çështja do kalojë për gjykim.
Vangjush Dako ndodhet në paraburgim prej 6 qershorit 2023 kur dhe u arrestua.
Akuza e SPAK për shëtiroren
Ka rezultuar se në vitin 2014 Bashkia Durrës ka kryer një procedurë prokurimi, për shërbim konsulence, sigurimin e një projekti të quajtur “Projektim zbatim për Promenadën Bregdetare dhe Plazhin publik nga Bërryli deri në Currila”.
Me Urdhrin Nr. 84 datë 11 Shtator 2013 protokolluar me Nr. 4151 Prot., në të njëjtën datë, është ngritur komisioni për caktimin e specifikimeve teknike. Ky grup është ngarkuar me detyrën për të përgatitur: detyrën e projektimit, fondin limit, termat e referencës si dhe te gjitha specifikimet teknike për këtë procedure prokurimi.
Nga ana e anëtarëve të Komisionit të ngritur nga Kryetari i Bashkisë Durrës, i pandehuri Vangjush Dako, janë kryer gabim llogaritjet e fondit limit, me një vlerë gati dhjetë herë më shumë se ajo që duhet të llogaritej në bazë të Vendimit të Këshillit të Ministrave, Nr. 444 datë 05 Shtator 1994 “Për tarifat e studimit, projektimit, drejtimit dhe kolaudimit të veprave të ndërtimit”.
Kryetari i Bashkisë Durrës, i pandehuri Vangjush Dako ka nxjerrë urdhrin e prokurimit pikërisht me vlerën e llogaritur nga Komisioni, ndërkohë që pasi është lidhur kontrata duke u nisur dhe nga përmbajtja e saj, është bërë pagesa vetëm për 60% të vlerës totale.
Edhe pas bërjes me dije nga ana e Kontrollit të Lartë të Shtetit, në Akt Kontrollin përkatës të Muajit Qershor 2015, në lidhje me gabimin e bërë nga Komisioni dhe nga Titullari i Autoritetit Kontraktor, duke lënë rekomandim që të rikuperohet dëmi ekonomik i shkaktuar deri në atë fazë, Bashkia Durrës dhe administrata përkatëse ka vijuar me pagesën e këstit të dytë prej 40% të vlerës totale të kontratës në muajin Dhjetor 2015, ndërkohë që e gjitha vlera e paguar më tepër prej 18.318.400,2 lekë, është pasqyruar në pasqyrat financiare të Bashkisë Durrës, si një dëm ekonomik dhe detyrim që shoqëria përfituese i ka kësaj Bashkie prej vitit 2016 e në vijim.
Në gjykatë
Vangjush Dako – ish kryetari i bashkisë së Durrësit – shpërdorim detyre 2 herë
Adhurim Qehajaj,- ish Drejtor i Drejtorisë së Planifikimit, Kontrollit dhe Zhvillimit të Territorit në Bashkinë Durrës, akuzohet për “Falsifikimit të vulave, stampave e formularëve”, “Shpërdorim detyre”
Fiqiri Farruku, administrator i subjektit “Fakle” sh.p.k, akuzohet për “Falsifikimit të vulave, stampave e formularëve”
Ermal Lama, me detyrë specialist në Drejtorinë e Planifikimit, Kontrollit dhe Zhvillimit të Territorit në Bashkinë Durrës, i akuzuar për ‘Falsifikimit të vulave, stampave e formularëve”
Fatmir Ejupi, me detyrë specialist në Drejtorinë e Planifikimit, Kontrollit dhe Zhvillimit të Territorit në Bashkinë Durrës, i akuzuar për “Falsifikimit të vulave, stampave e formularëve”
Adrian Bulku, me detyrë Inxhinier topograf i licencuar, i kontraktuar nga Shoqëria “Fakle” sh.p.k, i akuzuar për “Falsifikimit të vulave, stampave e formularëve”
Ferzilet Hajdëri, me detyrë Ing. Ndërtimi e Licencuar, në rolin e kolaudatorës së objektit të ndërtuar nga Shoqëria “Fakle” sh.p.k, e akuzuar për “Shpërdorim detyre’
Adnand Toçila, me detyrë specialist në Zyrën e Projekteve në Bashkinë Durrës, i akuzuar për “Shpërdorim detyre”
Diana Dedja, me detyrë specialiste në Zyrën e Projekteve në Bashkinë Durrës, e akuzuar për “Shpërdorim detyre”
Bashkim Salillari, me detyrë specialist në Zyrën e Projekteve në Bashkinë Durrës, e akuzuar për “Shpërdorim detyre”
Hanza Reka, me detyrë Përgjegjëse e Sektorit të Financës në Bashkinë Durrës, e akuzuar për “Shpërdorim detyre”