Dhoma e Deputetëve miratoi projektligjin e ratifikimit të marrëveshjes Itali-Shqipëri, që parashikon hapjen e dy kampeve të refugjatëve në territorin shqiptar.
Lajmin e kanë bërë të ditur mediat italiane, të cilat raportojnë se ligjvënësit ishin të ndarë. Mësohet se pro marrëveshjes votuan 155 deputetë, 115 ishin kundër dhe dy abstenuan.
Pas votimit, shumica e mirëpriti vendimin me duartrokitje. Tani projektligji në fjalë duhet të kalojë edhe në Senat, për të marrë miratimin.
Kujtojmë që më 6 nëntor 2023 kryeministri Edi Rama dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni nënshkruan në Romë marrëveshjen për ndërtimin në Shqipëri të dy qendrave për strehimin e emigrantëve. Sipas marrëveshjes porti i zbarkimit do të jetë Shëngjini, ndërsa Gjadri do të jetë kampi ku do të ndërtohet vendqëndrimi i tyre. Kapaciteti maksimal pritës është 3 mijë shtretër.