Futbolli elitar spanjoll është në javën e 21-të. Gjithçka këtë të dielë filloi në orën 14:00, aty ku Osasuna mposhti 3-2 Getafen në “Pamplona”. Në “Bernabeu”, Real Madridi përmbysi 3-2 Almerian në një ndeshje që u vendos në dy ekstremet e saj mes polemikave nga miqtë.
Barcelona mposhti 2-4 Betisin në Sevilla, në një ndeshje që nuk ishte dhe aq e lehtë sa duket në rezultat. Girona mposhti 5-1 në Katalonjë Sevillan për t’i marrë kreun Real Madridit.
105 minuta lojë, kaq ka zgjatur dueli i La Ligas mes Real Madridit dhe Almerias në “Bernabeu”. Për raundin e 21-të në kampionat, ‘Galaktikët’ fituan 3-2 kundër Almerias në një ndeshje të çmendur me pesë gola dhe përmbysje. Tanimë djemtë e Ancelottit marrin kreun e renditjes. Ndeshja në Madrid nisi “malore” për të besuarit e Ancelottit, pasi pas vetëm 38 sekondave ishte Almeria që me Ramazanin kaloi në epërsi.
Si të mos mjaftonte kaq, Gonzales shënoi të dytin për miqtë duke i dërguar skuadrat në dhomat e zhveshjes me rezultatin 0-2.Pjesa e dytë ishte e vrullshme për Realin, që shënoi me Bellingham nga penalltia në të 56 minutë, Vinicius në të 67 minutë dhe Carvajal në minutën e 99.
Barcelona siguroi një tripikësh të vyer në udhëtim, duke mundur 2-4 Betisin në Sevilla. Djemtë e Xavit nuk e patën të lehtë, paçka se shënuan në pjesën e parë me Torres. Sërish sulmuesi në minutën e 48-të do shënonte të dytin për Barçën dhe të dytin personal, para se Isco në minutat 56 dhe 59 të barazonte gjithçka me dopietën nga ana tjetër. Me duelin që ishte i hapur, duhej Joao Felix në të 90 minutë që të gjente rrjetën e tretë për miqtë, para se Ferran Torres në 90+2′ të shënonte për 2-4, duke “vulosur” tri pikët e katalanasve.