Për Ardjan Bakiun zhvendosja nga Italia në vendlindjen e tij në Lushnjë, ishte vendimi më i mirë që ka marrë ndonjëherë. Në fshatin Mizë ku ka nisur jetën nga e para, fermeri merret me mbarështimin e peshqve dhe rosave.
Xhensila Nako
“Këtu i thua stop stresit, është relaks nga ana mendore”.
Ka rinisur jetën nga e para në Lushnje. Për Ardjan Bakiun, zhvendosja nga Italia në vendlindje, ishte vendimi më i mirë që ka ndërmarrë ndonjëherë. Prej 3 vitesh merret me mbarështimin e peshqve dhe rosave në fshatin Mizë.
“Në fillim ishte peshku si prioritet. Ngaqë do i hidhnim misër peshkut, menduam të mbarshtonim rosat, t’ua hidhnim atyre dhe të bënim riciklim; sepse peshku rritet dhe me glasë. Fillimisht bleva 100 rosa. Periudha e mbarështimit zgjat deri në fund të prillit”, tregon Ardjani për iniciativën e re.
Vendimi i tij nuk u mbështet fillimisht nga familjarët, të cilët vendosën të qëndronin në Torino, Itali. Megjithatë, Ardjani i viziton shpesh. Shpreson që në një të ardhme, kur të kthejë këtë hapësirë në agroturizëm, t’i punësojë ata në Shqipëri.
“Kur e mora në fillim asnjë nuk donte. Me thonin ku do vesh mes bajgave, por avash avash u ambjentuan. Tani i ka hyrë në qejf”, tregon më tej.
E nisi gjithçka nga zero. Çdo kursim e investoi këtu, ndonëse nuk kishte njohuri rreth punëve të fshatit. Tashmë është bërë profesionist, madje ka arritur të përthithë informacionet e nevojshme që i duhen për t’u cilësuar i suksesshëm në këtë fushë.
“Vij që në 7 të mëngjesit tek ferma. Me kalimin e kohës mësohesh, të mëson puna sepse e bën njëherë gabim, do ta bësh herën e dytë mirë. Rosa cilësore vete 1,3-1,4 kg. Nuk vete më e shëndoshë se nuk e lë uji. Rosa ka disa gjendra dhjamore që në ujë i shkrihen kurse po t’i rritësh në tokë ato vijnë erë, mbushen me dhjamë, nuk pjellin vezë”, shprehet Ardjani.