Baza ajrore e Kuçovës, një investim prej 50 milionë eurosh, do të vihet në punë brenda pranverës. Përtej afateve të tejkaluara për këtë investim, ekspertët e vënë theksin tek rëndësia që do të ketë baza e parë ajrore e NATO-s në Shqipëri për sigurinë e gjithë rajonit.
Në janar të 2022, NATO nisi rindërtimin e bazës ajrore të Kuçovës. Ish baza e epokës komuniste e ndërtuar me punë vullnetare në 1952 shtatë dekada më pas do i shërbejë operacioneve të Aleancës Atlantike.
Vendimi i Aleancës së Atlantikut të Veriut për të ndërtuar në Shqipëri bazën e parë ajrore u njoftua në verë të 2018-s. Gjashtë vite më pas, kësaj baze, sipas NATO-s, i mungojnë vetëm disa detaje për t’iu prerë shiriti.
“Punimet pritet të përfundojnë në fund të muajit janar; infrastruktura e kompletuar do t’i transferohet Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë sapo të përfundojë dhe të pranohet certifikimi përfundimtar dhe vënia në punë. Kjo ka shumë të ngjarë të ndodhë shumë shpejt, brenda tremujorit të parë të 2024”, konfirmon një zyrtar i Aleancës Atlantike për Faktoje.
Për Ministrinë e Mbrojtjes, hapja dhe inagurimi i bazës ajrore në Kuçovë lidhet ngushtësisht me dy elementë.
“…me përfundimin e të gjithë investimit të NATO-s si dhe me realizimin e një sërë projektesh që janë pjesë e detyrimeve të palës shqiptare si pjesë integrale e këtij investimi”, sqaron ministria, pas një kërkese për të drejtë informimi.
Një zyrtar i NATO-s tha se baza ajrore do të ketë përdorime të shumta dhe avantazhe operacionale.
“Pas përfundimit, baza do të luajë një rol të rëndësishëm për të lehtësuar operacionet ajrore të NATO-s (si aktivitetet e policisë ajrore greke dhe italiane dhe mbështetja e misioneve të Forcave të Paralajmërimit të Hershëm dhe Kontrollit Ajror të NATO-s mbi territorin shqiptar).”, theksoi ai.
Ngritja e kësaj baze 15 vite pasi Shqipëria iu bashkua NATO-s shkon përtej interesit të vetëm një shteti.
“Si një shtet anëtar i Aleancës më të madhe Politiko-Ushtarake, shteti shqiptar dhe FARSH me këtë investim që po realizohet, do t’i ofrojnë NATO-s një bazë ajrore me infrastrukturë dhe kapacitete moderne si dhe standarde bashkëkohore të cilat do të bëjnë të mundur dislokimin e mjeteve ajrore të Aleancës apo edhe mjeteve tona ajrore, në situata të ndryshme qoftë për operacione stërvitore apo edhe për detyra të tjera në interes të Aleancës”, argumenton Ministria e Mbrojtjes