Avokatët e Sali Berishës i janë drejtuar me kërkesë zyrtare SPAK-ut, për të marrë leje që ish-kryeministri në arrest shtëpie, të marrë pjesë në seancat plenare, në ushtrim të detyrës së deputetit.
Në emisionin “Repolitix” në Report Tv me Denis Mingën është bërë një krahasim me rastin e Fredi Belerit i cili kërkon leje që të dalë nga qelia për t’u betuar si kryebashkiak i Himarës.
Anëtari i kryesisë së PD Azgan Haklaj ka treguar dhe rastin e tij kur u arrestua në 2001 për të bërë një krahasim me Berishën. Sipas tij ish kryeministri nuk ka asnjë shans që të shkojë në parlament.
“Beleri nuk do e marrë mandatin dhe nuk do bëjë betimin. Unë jam arrestuar në mesnatë në janar rë 2001… Kanë protestuar për arrestimin tim. DASH, OSBE-IDIHR e kanë quajtur arrestim brutal, politik. Deputeti i kuvendit ka të njëjtin imunitet që ka anëtari i gjykatës së lartë kushtetuese dhe çdo gjyqtar.
Unë nuk i jam shmangur drejtësisë, jam arrestuar në Tropojë në banesën time, jam zgjedhur deputet… Gjykata e lartë më 24 korrik të 2001 më ka liruar nga burgu. Ishte kërkesë e avokatëve të mi sepse unë kisha të njëjtin imunitet që ka gjykatësi që kishte vendosur arrestimin tim. Më pas në 2002 kam shkuar në gjykatën e lartë e cila e ka pushuar çështjen për mungesë provash.
Kryetari i bashkisë i zgjedhur me votë, pra Beleri, nuk ka imunitet. Ai mund të ndalohet arrestohet. Mediu ishte deputet ministër dha dorëheqjen dhe prokuroria i kërkoi heqjen e imunitetit. Pastaj Mediu u rizgjodh deputet. Kam parë e mendimin e pakicës dhe të shumicës. Edhe pse u zgjodh deputet mbetet në fuqi vendimi i mëparshëm. Tani te rasti Berisha, kërkesa e SPAK është arrest shtëpie për Berishën.
SPAK s’ka asnjë artificë ligjore që Berisha të shkojë në parlament. S’ka asnjë shans që Berisha të shkojë në parlament, është thjesht një blof. Berisha thotë SPAK është organizatë kriminale ndërkohë që e ka votuar vetë…”, tha ai.
Ish-kreu i PD-së në Kukës, Ibsen Elezi bëri një analizë kritike ndaj Berishës i cili sipas tij me këtë kërkesë tregon se ka ndryshuar qëndrim ndaj SPAK.
“Berisha që në momentin e parë zgjodhi të sillej si politikan. Berisha ka çeduar në lidhje me qëndrimin e tij në lidhje me këndvështrimin politik dhe mesazhin që jep. Kur ndryshon rrugës sjelljen ndaj SPAK dhe institucioneve të tjera. Ka bërë akuza të rënda. Për Berishën dhe grupimin e Berishës është shumë e vështirë që të mbajë më qëndrime parimore. Mesa duket spak nuk do t’ja japë mundësinë.”
Një blof politik e ka quajtur gazetari Flogert Muça kërkesën e Berishës duke nënvizuar se të drejtën pë të shkuar në parlament mund t’ja japë vetëm gjykata dhe jo SPAK.
“Gjithë këtë kërkesë të Berishës ndaj SPAK e shoh si vazhdim të betejës. Vetëm vendimi i gjykatës e lejon atë që të shkojë në seancë. Kur SPAK të thotë s’kam kompetencë, Saliu do të dalë dhe do të thotë, dhe është normale për fabulën që ka ndërtuar, se SPAK i partisë nuk më lë mua të dal të përfaqësoj njerëzit”.
“Pra do thotë s’po më lë SPAK. Dhe tani e kuptoni pse duhet të ngrihemi të gjithë, sepse ai nuk më lë që të dal t’ju përfaqësoj juve. Është strategji komunikimi për ta nxjerrë SPAK si pengues të ushtrimit të funksionit të deputetit”, shtoi Muça.
Gazetari Aulon Kalaja u ndal te dy linjat që ka ndjekur Berisha, atë politike dhe juridike në betejën e tij me drejtësinë.
“ Kemi dy linja. Linja politike dhe linja që ka të bëjë me drejtësinë. E parë në këtë këndvështrim, këtë iniciativë e kemi pasur që në krye të herën kur Berisha përballej me këto akuza. Kemi parë një gjuhë të ashpër të Berishës ndaj SPAK, nga ana tjetër kemi një gjuhë ligjore juridike të dy avokatëve që bëjnë punën e tyre. Berisha sulmon organet e drejtësisë nga ana tjetër vepron përmes rrugëve ligjore”, shtoi ai.