Presidenti amerikan, Joe Biden, ka reaguar pas fitores së Trump në Iowa, duke thënë se ish-Presidenti amerikan, Donald Trump, është “kandidati kryesor” republikan në zgjedhjet amerikane që do të mbahen në nëntor.
“Donald Trump sapo fitoi Iowa. Ai është kandidati kryesor në këtë pikë”, shkroi Biden në X (ish-Twitter).
Biden mblodhi gjithashtu mbështetësit e tij, duke thënë se këto zgjedhje presidenciale do të ishin gjithmonë “ju dhe unë kundër republikanëve ekstremë MAGA”, raportojnë mediat e huaja.
Po ashtu, Trump siguroi një fitore dërrmuese në garen e parë brenda partisë Republikane në shtetin e Iowa-s, duke forcuar statusin e tij si kryesuesi i qartë për nominimin presidencial republikan në vitin 2024.
Trump siguroi 51.9% të votave të republikaneve të këtij shteti. Guvernatori i Floridës, Ron DeSantis, largoi ish-ambasadoren e OKB-së, Nikki Haley, për të zënë vendin e dytë, por shumë larg Trump me 21.7% të votave.
“Ne do të mbyllim kufirin. Aktualisht ne po përballemi me një pushtim”, tha ai.
Trump, i cili kohët e fundit tha se emigrantët po “helmojnë gjakun” e kombit, pretendon se emigrantët që hyjnë në vend vijnë nga burgje, azile mendore, qeliza terroriste dhe vende për të cilat njerëzit nuk kanë dëgjuar kurrë.
Ai premtoi një nivel deportimi që nuk e kemi parë për një kohë të gjatë. Së fundi, para se të largohej nga skena, ai u tha votuesve se kjo “natë shumë e veçantë” është vetëm e para “sepse nata e madhe do të jetë në nëntor”.