Një operacion policor i Vlorës i koduar “Stroke”, ka çuar në pranga një person për armëmbajtje pa leje, i cili lëvizte me një automjet luksoz tip “Jaguar”-i. Në prangat e policisë ka rënë 38 vjeçari Elton Gërdhuqi lindur në Vlorë dhe banues në Sarandë. Gjatë ndalimit nga policia, në automjetin “Jaguar” atij i është gjetur një armë zjarri.
I arrestuari ka qenë i dyshuar në vitin 2000 për një ngjarje kriminale të ndodhur në aksin nacional Fier-Vlorë, ku gjatë një grabitje mbeti i vdekur punonjësi i një pike karburanti. Në atë ngjarje mbeti viktimëXhezo Braka, punonjës në atë pikën e karburantit. Elton Gërdhuqi ka qenë dënuar me 16 vite burg nga Gjykata e Shkallës së Parë dhe e Apelit të Vlorës për vrasje, por ky dënim është rrëzuar nga Gjykata e Lartë, ndërsa autorësia e krimit i ka mbetur bashkëpunëtorit të Gërdhuqit, Dorian Vero i cili është dënuar me 20 vite burg.
Në cilësinë e provës materiale policia ka sekuestruar një automjet tip “Jaguar” dhe armën e zjarrit pistoletë.
Në pranga edhe një i dënuar për kultivim kanabisi
Gjithashtu, gjatë një njëjtit operacion, është arrestuar edhe Rigert Memaj, 29 vjeç, banues në Vlorë. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë me vendim nr.546 datë 25.09.2017, e ka dënuar këtë shtetas me 3 vite e 4 muaj burg për veprën penale ”Kultivimi bimëve narkotike”.
Materialet hetimore iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprat penale ”Kultivimi bimëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, parashikuar nga nenet 284 dhe 278 të Kodit Penal.
Policia është e angazhuar maksimalisht për të përmbushur të gjitha detyrimet ligjore për të siguruar ambjente sa më të sigurta, veçanërisht përgjatë sezonit turistik, si dhe fton e nxit të gjithë shtetasit të cilët konstatojnë veprimtari antiligjore të telefonojnë në numrin pa pagesë 129 duke siguruar një reagim të shpejtë dhe të paanshëm.