Nga Bedri Islami
Botuar në DITA
Sot është e dhjeta ditë e gjendjes së arrestit shtëpiak për drejtuesin e Rithemelimit. Mund të jetë arresti shtëpiak më i çuditshëm, kur, brenda dhomave të gjëra nuk lejohen vizitorë, ndërsa nga ballkani mund të flasësh me cilindo. Sidoqoftë, nëse në këtë gjendje ka dorën e saj edhe qeveria, atëherë ndryshimi mes arrestit të kryeopozitarit nano dhe kryeopozitarit Berisha është jashtëzakonisht i madh. Nano, që do të dënohej sipas kërkesës së kryeprokurorit të kohës, Gjokutaj, tani kryembrojtësi i Berishës, do të kishte një burg të rëndë, mes tufave të njerëzve të krimit, gjithnjë në rrezik dhe i linçuar nga e gjithë ajo tufë që ndiqnin besnikërisht liderin e tyre në presidencë; tjetri, Berisha, në një gjendje arresti të pazakontë, të pa ngjashëm me asnjë tjetër, është i lirë në mbylljen e tij, kur, në gjendje të lirë ishte i mbyllur nga njerëzit që nuk e ndiqnin.
– Publicitet –
Edhe tani, jo rastësisht, rrugina para pallatit ku ai banon, dhe askush nuk e di se cili është pronari, nuk ka dyndjen që ishte pritur dhe as vërshimin në rrugë si ndodhi pas burgosjes së Nanos. Një grusht metingashësh më shumë se sa militantë të vyer ndjekin kalvarin e radhës, gjithnjë me mendimin se do të jenë pjesë e një lëvizje që përmbyt një qeveri dhe sjell një tjetër.
Ai që e di më mirë se gjithë të tjerët se e gjithë kjo është vetëm një farsë ndodhet sipër tyre. Dikur ishte në mesin e tyre. Tani është sipër. Një herë e një kohë radhët që ndiqnin atë mbushnin sheshet e qyteteve, tani hapësira para kafenesë është më se e mjaftueshme.
Mes atyre që vijnë thuajse çdo natë është edhe një grup i vogël nga qyteti i Shkodrës. Këshilltarët bashkiakë të Foltores. Në drejtimin e ish kryetarit jetë shkurtër në drejtimin e saj, Spahiu. Diçka më shumë se dhjetë vetë. Si shenjë besnikërie ndaj kryetarit. Janë në të drejtën e tyre, por mesazhi që përcjellin është i dëmshëm. Megjithëse është i vërtetë.
E para gjë që më erdhi në mendje ishte pikërisht kjo: një grup këshilltarësh, nga bashkia e madhe e Veriut, të humbur në mënyrë plebishitare prej tyre, që po ndryshon aq vrullshëm , sa edhe ata vetë janë të habitur, çfarë do të kishte ndodhur nëse ajo do të ishte fituar nga Folorja?
Shembujt janë: në të gjitha protestat e dikurshme, pavarësisht se kush i ka thirrur, Basha apo Berisha, bashkia, ndërmarrjet në varësi të saj, institucionet mbylleshin dhe autobuzët merrnin rrugën drejt Tiranës. Ashtu kur humbën zgjedhjet e vitit 2013, njëjtë katër vite më vonë, në çadrën e Bashës, që u shpërlliq nga një ofertë e shefit të qeverisë; përsëri në zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2021, duke mbajtur mbi supe shefin e atëhershëm, Bashën, pastaj përsëri në stadium, kur hodhën poshtë Bashën, ndonjëri në 8 janar kur sulmuan si spahitë e jeniçerët kullën e selisë së tyre, që do zaptonin më pas përmes një letra; përsëri në njërin metong, në tjetrin, deri sa në majin e këtij viti rubineti i abuzimit me detyrën u mbyll.
Bashkia u kthye në punë. Institucionet e mësuan se aty edhe punohet. Kafeja ngjitur me godinën e bashkisë mbeti bosh. Njerëzit e provuan se edhe punohet.
Megjithatë, për fat të keq, Shkodra e Foltores nuk mëson dot të drejtën e ndryshimit.
Shkodra shfaqet pjesërisht befas me një fytyrë aspak të lakmuar, të një qytetarie që mbahet te e djeshmja e largët për të hubmur të sotmen e duhur; të një opozite që nuk arrin të ngrihet kundër robërisë së vet, që ende, edhe pas më shumë se tri dekadave mendon se është fundi i viit 1990 dhe se pushteti mund të rrëzohet përmes britmave, braktisjes së detyrës dhe përbuzjes së të vërtetës.
E pashë me vemendje fotografinë që më dërguan, dhe që po e botoj në këtë shkrim. Njoh vetëm njërin prej tyre. Nga larg. Nuk kam folur asnjëherë me të. Me të atin, para pluralizmit ishim të njohur e më shumë se kaq; më pas e filloi rrugën e politikës duke braktisur lirinë e tij. Të tjerët, rreth e rreth tij, me dy gishtat e ngritur, duke vështruar nga lart, nuk i njoh. Ndoshta etërit e tyre. Mosha që kanë është më e re se fillimi i pluralizmit dhe futja në politikë e atij që adhurojnë. Për të adhuruar janë në të drejtën e tyre, për të gjetur mitin e adhurimit janë në të gabuarën e tyre.
Deliret për shkërmoqjen e shtetit nga thirrjet delirante të Spahos apo të tjerëve , janë gjithnjë gjysmake dhe asnjëherë mbushamendëse.
Asnjëri nga ai grup këshilltarësh nuk ka jetë të përbashkët me një grumbull njerëzish të politikës që kurrë nuk kanë besuar te njerëzit. Që i kanë braktisur ato.
Më erdhi mirë që shin të rinj.
Më erdhi keq që në rininë e tyre nuk e kanë lënë ende plakun në marrëzinë e tij.
—–