Carlo Ancelotti merr frymë i qetësuar dhe ia transmeton këtë skuadrës, përfshirë edhe portierëve: “Jemi mirë, me shumë qetësi në skuadër dhe të rikuperuar. Jemi përpara titullit të parë të sezonit, një ndeshje që të gjithë duan ta shohin. Carvajal është mirë, i duhej edhe një ditë pushim. Do të luajë pa problem. E kam vendosur se kush do të luajë në portë, por nuk do ta them.
E vlerësoj shqetësimin tuaj për portën, por mos e dramatizoni. Ne kemi nënshkruar me Kepa dhe ai ka qenë titullar. Lëndimi e bëri atë të ndalonte së luajturi dhe zëvendësuesi meritonte të vazhdonte të luante. Ndjej se që nga ai moment nuk mund të them se cili është titullari. E rëndësishme është që të dy ta kuptojnë. Dhe ata e kanë kuptuar këtë”.
Për Xavin, italiani deklaroi: “Po bën një punë optimale. Ai nuk ka përvojën që kam unë, sepse është shumë i ri. Karriera e tij është shumë e mirë, një nga mesfushorët më të mirë në botë. Ky fakt e ndihmon deri diku edhe si trajner, në idenë si e sheh futbollin”.
Rëndësia e zëvendësimeve: “Ndeshjet përgatiten me 11 lojtarë. Nuk e mendoj kurrë më parë se çfarë zëvendësimesh do të bëj. Çdo ndeshje ndryshon në detaje, dinamikë… Është e vështirë të mendosh për një zëvendësim paraprakisht, përveç nëse është për shkak të një dëmtimi, si p.sh. me Vinicius.
Për një ndeshje si e nesërmja nuk mendoj për zëvendësimet fillimisht. Më pas, për shkak të lodhjes, ndryshimit të strategjisë, ose sepse një lojtar po bën keq, unë ndryshoj. Besoj se ata në pankinë janë të përgatitur, si gjithmonë”.
Toni Kroos nuk është i shqetësuar për fishkëllimat që do të marrë nesër: “Ato nuk e kanë ndikuar dhe nuk do ta ndikojnë. Ai e njeh shumë mirë këtë botë, është i motivuar dhe i gatshëm për të luajtur”.
Seria pozitive e skuadrës: “Superkupa e Spanjës është një kompeticion që përfundon nesër. Është një titull i rëndësishëm për imazhin e klubit. “El Clasico” nis e barabartë në gjithçka. Real Madridi mund të jetë pak më mirë aktualisht, por gjithçka nis në barazpeshë. Ne nuk luajmë për hakmarrje, meqë Barcelona na mundi në finalen e ngjashme të një viti më parë.
Po, do të japim maksimumin për shkak të kërkesave të këtij klubi. Ne e respektojmë rivalin që na mundi vitin e kaluar, por uria është gjithmonë e njëjtë. Është iluzion të përgatitesh ekstra për këtë lloj ndeshjeje, sepse të gjithë e dinë se ka shumë faktorë fizikë dhe emocionalë. Ka gjithashtu shqetësim për të bërë më të mirën”.
Nëse fiton nesër, italiani do të barazojë Zidane si trajneri i dytë me më shumë tituj në historinë e Real Madridit (11). Megjithatë, ky nuk përbën motiv shtesë për Ancelotti: “Jo. Natyrisht që jam shumë i kënaqur dhe i lumtur. Titujt mbeten, herë pas here kujton se ke fituar atë ditë.
Por e rëndësishme është të shikosh përtej tyre. Mentaliteti im është ky: gjithmonë shiko përpara, çfarëdo që të ndodhë. Nesër mund të vijë një titull ose një humbje, por të enjten do të kemi një ndeshje tjetër”.