Tre britanikë dhe dy shqiptarë janë arrestuar nga policia spanjolle, në një operacion që çoi në sekuestrimin e 300 kg kokaine, sipas mediave spanjolle.
Hetimi për këtë grup kishte nisur në muajt e verës, pas informacioneve për trafik droge nga Amerika e Jugut. Policia spanjolle ka ndjekur dy shqiptarë të cilët do të dorëzonin një sasi të madhe droge të fshehur brenda një kamioni.
Dyshimet e policisë u vërtetuan kur në Benicassim, dy shqiptarët e dorëzuan kamionin tek dy shtetas të tjerë, të cilët parapriheshin nga një tjetër automjet të drejtuar nga një bashkëpunëtor i tretë i tyre.
Policia ka ndjekur kamionin me dyshimin se po drejtohej për në Alicante ose Costa del Sol.
Pasi pikasi policinë, drejtuesi i kamionit doli nga autostrada në afërsi të Denias. Gjatë ndjekjes kamioni përplasi dy makina policie dhe si përfundim u ndalua në një Hypermarket “Carrefour”.
Policia vuri në pranga tre personat që ndodheshin në dy automjetet, të cilët rezultuan shtetas anglezë. Pasi gjetën çelësat e kamionit, të cilat ishin hedhur nga drejtuesi, policia e hapi dhe zbuloi brenda 300 kg kokainë. Në një operacion të njëkohshëm, u arrestuan edhe dy shtetasit shqiptarë në Benicassim.