Një profesor i madh nga ata të “Foltores”, në fakt jo aq i madh sa presor Mondi, kishte shkruar një artikull të gjatë për byrekun.
Sipas porosive të Doktorit, Basha duhej banalizuar për blerje byreku dhe për faktin që me ngrënien e tij kishte treguar mosmirënjohje ndaj Berishës.
Sepse ashtu si të gëzuarit dhe të hidhëruarit që duhet bërë me lejen e Doktorit, te “Foltorja” edhe byreku duhet ngrënë me lejen e tij.
Pasi presor Mondi është i zënë me analizat gjeostrategjike se ku po shkon Bota dhe Perëndimi pas emërimit në Francë të një kryeministri nga komuniteti LGBT, barra e rëndë për mbledhjen e fakteve për dëmin e byrekut i kishte rënë profesor Luçit.
Fakti i parë pse byreku duhet shpallur i dëmshëm, sipas profesor Luçit, ishte se ai të kujtonte bukën dhe gjellën që konkurronte me pataten e Enver Hoxhës.
Së dyti, sipas analizës tekstuale të profesorit në fjalë, byrektoret mbajnë rekord që furnizojnë njerëzit me brumë, yndyrë, gjizë e kripë.
Te ky argument profesori qëndroi gjatë dhe iu kujtua porosia e Doktorit për të qenë sa më efektivë dhe sa më të dobët për realizimin e Revolucionit.
Ndaj, atë qerrata Bashën e zë gjumi, mendoi profesor Luçi me vete, se nuk zbaton porositë e Doktorit për të mos ngrënë brumra dhe për të mos marrë yndyrna.
Argumenti i fundit për dëmin e byrekut, që arriti të shënonte profesor Luçi, ishte se byreku haet në ato raste kur do të ndryshosh gojën pas frutave të detit dhe ushqimeve ekzotike.
Kjo është më e rëndë, shënoi anësh profesor Luçi, sepse do të thotë që Basha, nga gëzimi i madh që ka për arrestimin e Doktorit, ka ngrënë shumë fruta deti dhe ushqime ekzotike, saqë pastaj i është dashur të shkojë te “Met Çela” në Lushnje për ta “shpëlarë” me byrek me gjizë.
Pasi shënoi dhe argumentin e fundit, profesor Luçi pa orën dhe nxitoi për të shkuar te ballkoni poshtë shtëpisë së Doktorit, ku e priste presor Mondi dhe doktor Muli.