Ndërtimi i Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës pritet të përfundojë në fund të këtij viti dhe më pas të hyjë në fazën e operimit vitin e ardhshëm.
Së fundmi institucioni i Aerportit të Vlorës, ka shtruar nevojën për përgatitjen e stafit të nevojshëm edhe nga kompanitë shtetërore të lidhura me aviacionin.
Ditën e sotme (9 janar), ‘Albcontrol’ ka njoftuar hapjen e aplikimeve për vendet vakante për të cilat kërkohen 6 inxhinierë, 7 specialistë ARO dhe 7 vrojtues METEO.
Kusht kryesor është diploma e nivelit të parë në shkenca inxhinierike, inxhinieri elektronike, telekomunikacioni, shkenca kompjuterike, TIK, Shkenca Natyrore, Matematikë dhe Fizikë.
Kusht tjetër është gjuha angleze, ndërsa rekrutimet do të mbeten të hapura deri në fund të muajit janar.