Demokratët dhe republikanët kryesorë në Kongresin amerikan kanë arritur marrëveshje për ta financuar Qeverinë gjatë këtij viti fiskal, por nëse Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati dështojnë ta aprovojnë atë deri më 19 janar, atëherë disa pjesë të Qeverisë do të fillojnë të mbyllen.
Më poshtë mund të mësoni se çfarë do të mbyllej e çfarë do të mbetej hapur, sipas planeve për mbylljen e agjencive qeveritare:
Kongresi e ka zgjatur financimin e Qeverisë përkohësisht prej se filloi viti i ri financiar më 1 Tetor, në mënyrë që të blejë kohë për bisedime, por ato të holla do të harxhohen së shpejti.
Financimi pritet të përfundojë më 19 Janar për disa agjenci federale, përfshirë për Departamentin e Transportit, derisa të tjerët, si Departamenti i Mbrojtjes, përballen me afat deri më 2 Shkurt.
Nëse Kongresi nuk e aprovon legjislacionin e ri të shpenzimeve deri atëherë, shumë shërbime qeveritare do të mbyllen dhe qindra mijëra punonjës federalë do të urdhërohen të mos dalin në punë.
Punonjësit e tjerë, të cilët ofrojnë shërbime që cilësohen si “thelbësore”, siç janë pagesat e pensionale, përfitimi dhe mbrojtja kufitare, do të vazhdojnë të punojnë pa pagesë.
19 janar: Transporti, siguria e ushqimit, banimi
Financimi përfundon në këtë datë për agjencitë të cilat merren me bujqësinë, transportin, banimin dhe shërbimet e veteranëve, përfshirë në fusha të tjera.
Punonjësve në repartet e kontrollit të trafikut ajror dhe në skanerëve të sigurisë në aeroporte do t’u kërkohet të punojnë.
Por, trajnimi për 1.000 punëtorë të rinj të kontrollit të trafikut ajror do të ndalej, duke e lënë këtë departament me mungesë stafi. Administrata e Sigurisë së Transportit nuk do të jetë në gjendje të punësojë punëtorë të ri në repartin e skanimit në aeroport.
Inspektimi i ushqimit nga Administrata e Ushqimit dhe e Barnave do të shtyhej, por rishikimi i mjeteve mjekësore dhe i barnave të reja do të vazhdonte.
Subvencionet mujore për banimin publik dhe ndihmat për shtëpitë me të hyra të vogla do të jenë në rrezik. Megjithatë, Administrata Federale e Banimit do të vazhdonte mbështetjen e hipotekat e siguruara.
Inspektimi i mishit dhe vezëve do të vazhdonte, por disa shërbime laboratorike do të ndërpriteshin, duke e bërë më të vështirë luftimin e sëmundjeve të kafshëve.
Përfitimet dhe kujdesi mjekësor i ofruar nga Departamenti për Çështje të Veteranëve do të vazhdonte, dhe Korpusi i Inxhinierëve të Ushtrisë do ta vazhdonte mirëmbajtjen e rrugëve ujore.
Departamenti i Administratës së Energjisë për Sigurinë Kombëtare Bërthamore do të vazhdonte t’i mirëmbante armët bërthamore.
Financimi i projekteve ushtarake të ndërtimit, si shtëpitë apo objektet e tjera, do të ndalej. Pagesat për kompanitë që i kryejnë këto punë mund të ndërpriten.
Kontratat e dhëna para mbylljes do të zbatoheshin, por kontratat e reja, përfshirë rinovimet apo zgjatjet e tyre, nuk do të bëheshin.
2 shkurt: Ushtria, parqet kombëtare, shkenca
Personeli ushtarak do të mbetej në detyrë, por rreth gjysma e 800.000 nëpunësve civilë të Pentagonit do të urdhëroheshin të mos dalin në punë.
Agjentët e agjencive për sundimin e ligjit, siç është FBI-ja, do ta vazhdonin punën.
Shumica e agjentëve të patrullimit kufitar dhe emigrimit do ta vazhdonin punën, si edhe shumica e oficerëve doganorë.
Qeveritë lokale nuk do të merrnin ndihma të reja për strehimin e emigrantëve.
Parqet kombëtare do të mbylleshin, megjithëse do të ishte e pamundur të mbaheshin vizitorët jashtë shumë prej tyre.
Gjykatat federale do të punonin për një kohë, por përfundimisht do të detyroheshin ta ndërpresin punën.
n.
Gjykata Supreme do të mbetej e hapur.
Gjykimet penale, përfshirë në dy rastet federale kundër ish-presidentit Donald Trump, do të vazhdonin. Shumica e proceseve gjyqësore do të shtyheshin.
Ambasadat dhe konsullatat amerikane do të mbeteshin të hapura.
Ligjvënësit në Kongres do të vazhdonin t’i merrnin pagat, megjithëse jo edhe stafi i tyre.
Shumë punëtorëve të Shtëpisë së Bardhë do t’u kërkohej të largoheshin nga puna përkohësisht, por presidenti Joe Biden do të vazhdonte të paguhej.
Kërkimet shkencore do të ndërpriteshin, pasi agjencitë si Institutet Kombëtare të Shëndetësisë do t’i largonin përkohësisht shumicën e punëtorëve.
Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve do ta vazhdonin mbikëqyrjen e përhapjes së sëmundjeve, megjithëse sektorët e tjerë të shëndetit publik do të mund të hasin në vështirësi.
Inspektimi i vendeve me mbetje të rrezikshme, i ujit të pijshëm dhe i objekteve kimike do të ndalej pothuajse plotësisht. Inspektimet e sigurisë në vendin e punës do të kufizoheshin.
Komisioni për Këmbime dhe Siguri do t’i pezullonte shumicën e veprimeve.
Publikimi i të dhënave të mëdha ekonomike, përfshirë raportet e punësimit dhe inflacionit, do të pezulloheshin.
Shtëpia e Bardhë tha në shtator se 10.000 fëmijë nga familjet me të hyra të vogla do ta humbnin qasjen në programin parashkollor.
Shërbimet e paprekura
Disa shërbime qeveritare do të vazhdojnë të mbesin të paprekura, sepse ato nuk varen nga Kongresi për financimin e veprimtarisë së tyre.
Posta amerikane duhet të vazhdojë të kryejë dërgesa.
Pagesat e ndihmës sociale dhe përfitimet për personat me aftësi të kufizuara do të vazhdojnë të kryhen, si dhe përfitimet ushqimore përmes Programit për Ndihma Ushqimore.
Programet mjekësore dhe programet e kujdesit mjekësor nuk do të preken.
Rezerva Federale, Korporata Federale e Sigurimit të Depozitave dhe Zyra për Kontrollimin e Monedhës, do të vazhdojnë t’i mbikëqyrin bankat.
Departamenti i Thesarit do të vazhdojë të lëshojë borxhe.