Pheniani është i gatshëm t’i përgjigjet me forcë çdo “llogaritjeje të gabuar” të Seulit, ka thënë Kim Yo-jong, motra me ndikim e liderit të Koresë së Veriut, Kim Jong-un.
Të premten, Seuli njoftoi se po evakuonte ishullin Yeonpyeong pasi Koreja e Veriut qëlloi 200 predha artilerie në brigjet perëndimore.
Koreja e Jugut reagoi ndaj asaj që e quajti “situatë në përshkallëzim e krizës” duke lëshuar 400 predha të saj në det, në të njëjtën zonë.
Sipas Seulit, ajo u pasua nga Veriu që qëlloi 60 predha të tjera në zonën në fjalë.
Por Kim Yo-jong, e cila është një figurë e lartë në Partinë e Punëtorëve në pushtet të Koresë së Veriut, mohoi pretendimin e fundit nga Jugu.
Pheniani “nuk gjuajti as edhe një predhë të vetme në ujërat përkatëse” të shtunën, këmbënguli ajo.
“Kemi kryer një operacion fals për të vlerësuar aftësinë e vërtetë të zbulimit të gangsterëve ushtarakë të Koresë së Jugut,” deklaroi motra e liderit të Koresë së Veriut.
Në vend që të gjuanin predha, forcat e Phenianit “shpërthyen pluhur që simulon zhurmën e artilerisë 130 mm bregdetare për të parë si do reagonte Seuli, shtoi ajo.
Kim Yo-jong tha se për shkak të “histerisë dhe arrogancës” së saj, ushtria e Koresë së Jugut “nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të gëlltiste karremin që hodhëm” dhe të provonte paaftësinë e saj. Ajo kujtoi një thënie se “frikacaku ka frikë nga hija e tij”.
Motra e liderit të Koresë së Veriut tha se ishte “shumë e dhimbshme” për qytetarët e Koresë së Jugut, të cilët ua besojnë sigurinë e tyre “njerëzve të verbër”.
Ajo paralajmëroi Seulin kundër keqgjykimeve të ngjashme në të ardhmen, duke argumentuar se Jugu po nxit fatkeqësi të rënda me sjelljen e tij.
“Më lejoni ta bëj të qartë: bravat e sigurisë në këmbëzat e ushtrisë sonë janë hequr… Nëse ka qoftë edhe një provokim të lehtë, ushtria jonë do nisë menjëherë një përgjigje me zjarr për Korenë e Jugut”, tha Kim Yo-jong.