Biri i një emigranti shqiptar, ish mafioz, tashmë i penduar, me lidhje me familjen e famshme të krimit Gambino, në vitet 80-90, pritet në Prishtinë me duartrokitje.
“Sikur të shihja që shqiptarët janë kaq trima, nuk do të isha kyçur në mafien italiane, do e bëja ushtrinë time”, deklaroi Alite.
Duke qenë se ishte me origjinë shqiptare dhe jo italiane, ai nuk mund të bëhej zyrtarisht një prej kapove të mafies. Në 2011-ën u dënua me 10 vjet burg, për akuzat si pjesëmarrës në një mori krimesh.
Ai bashkëpunoi me autoritetet federale amerikane, duke dëshmuar kundër familjes mafioze Gambino, Gotti-t, Charles Carneglia dhe kundër ish-bashkëpunëtorëve të tij, dëshmi që tronditën thellë Perandorinë e Krimit të familjes mafioze Gambino, të fundmit e Cosa Nostra-s.
“Kam qenë pjesë e mafies italiane, e cila është shumë e famshme në Amerikë. Në vitet ’80 ishte familja më e famshme mafioze dhe me më së shumti para, unë kam punuar atë kohë pranë tyre për shumë vite. Që nga vitit 2017 jam i lirë, kam botuar edhe një libër, që censurohet”, u shpreh Alite.
Sipas tij, libri i censurohet në disa mënyra, me qëllim që të mos del e vërteta. Ai tha se gjithmonë ka qenë i fjalës, por që sipas tij, bosët e mafies kanë filluar të punojnë prapa shpinës së tij.
“Ajo që na karakterizon neve shqiptarëve gjithkund dhe në gjithçka, është se ne mbijetojmë. Në botën e krimit është edhe me problem kjo, por unë ia kam dalë. Jo të gjitha kombet e kanë këtë aftësi dhe ne e kemi, ndaj duhet ta çojmë para. Zemra, kuraja dhe dëshira për të respektuar jetën, nëse i kalon gjithë këto teste tregon kush je. Unë ia kam dal, kjo është traditë shqiptare”, tha ai.
John Alite, shqiptari me origjinë nga Gjirokastra, i lindur dhe i rritur në Queens të NYC, nga i biri i një taksisti, tek i besuari i John Gotti, bossit të organizatës mafioze më të famshme në botë, nuk e vuajti gjithë dënimin e tij, pasi pranoi të bashkëpunonte, me statusin e të penduarit dhe me statusin e mbrojtjes së dëshmitarit. Në Kosovë, ka ardhur privatisht, dhe thotë se do të fillojë një biznes…