Vetëm gjashtë minuta zgjati takimi ndërmjet kryeministrit Zoran Zaev e ministrit të Jashtëm, Nikolla Dimitrov me presidentin Gjorgje Ivanov, të cilin e informuan për marrëveshjen për emrin me Greqinë.
Automjet e Qeverisë të shoqëruara me një eskortë policie mbërritën në rezidencën presidenciale në 10:03 minuta, ndërsa portat u mbyllën në 10:09, raporton makfax.
Ndërkohë, nga kabineti i Ivanov kanë theksuar se takimi ka zgjatur vetëm dy minuta dhe se presidenti do të shprehë qëndrimin e tij në një fjalim që do ta mbajë para qytetarëve të vendit.
Ivanov është shprehur se insiston për një zgjidhje që nuk do të shkaktonte ndryshime kushtetuese.
Presidenti ka vlerësuar si “joserioze dhe të papërgjegjshme” që një çështje e rëndësishme të zgjidhet me anë të telefonit dhe marrëveshjen personale ndërmjet kryeministrave të të dy vendeve.