Mbledhja e radhës e KLD ka ofruar sërish të njëjtën pamje si edhe në mbledhjet e fundit të këtij institucioni. Gjyqtarët anëtarë të KLD kanë mbrojtur kolegun e tyre gjyqtar, Ahmet Jangulli dhe kanë rrëzuar propozimin e Ministres së Drejtësisë për shkarkim.
Për Ahmet Jangullin, gjyqtar në Gjykatën Administrative të Apelit Shkodër edhe anëtar i Këshillit të Emërimeve në Drejtesi ishte propozuar masa e shkarkimit, për shkak se kishte pasur zvarritje të proceseve gjyqësore në dëm të interesave të qytetarëve.
Por ajo që ra në sy në mbledhjen e KLD ishte përplasje verbale midis Gjin Gjonit dhe ministers së Drejtësisë Etilda Gjonaj.
Burime konfidenciale nga mbledhja e KLD thanë për lexo.al se Gjin Gjoni ka pretenduar se ministrja e Drejtësisë nuk ka të drejtë ligjore të propozojë masa disiplinore, pasi këto masa mund ti propozojë Inspektori i Lartë i Drejtësisë.
Sipas tij, ligji parashikon që procedimet disiplinore të papërfunduara në Këshillin e Lartë të Drejtësisë ose në Prokurorinë së Përgjithshme në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit të ri, kryhen brenda afatit 6-mujor pas hyrjes në fuqi e tij.
Nga ana e saj Ministrja e Drejtësisë theksoi se fakti që KLD nuk e ka kryer detyrën dhe nuk ka vepruar nuk do të thotë që çështja duhet të lihet pa u trajtuar. Neni 160 i ligjit 96/2016 ia njeh të drejtën dhe kompetencën Ministrit të Drejtësisë për të propozuar masa disiplinore dhe neni 140 i Kushtetutës ligjëron propozimin e Ministrit për shkarkimin nga detyra të gjyqtarit.
Çështja e kompetencës së ministrit tyë drejtësisë për të propozuar masa është diskutuar edhe më parë dhe vetë KLD ka disa seanca që ka vijuar punën duke shqyrtuar sipas kësaj baze ligjore dhe nuk kuptohet se çfarë ka ndryshuar tashmë.
Ministrja Gjonaj kundërshtoi referimet ligjore të Gjin Gjonit, duke thënë se ato janë të gabuara dhe se ligji parashikon pikërisht përgjegjsinë disiplinore apo parimet e procedimit disiplinor.
“Nëse bëhet fjalë për zbatimin e vendimeve të gjykatave, atëherë kjo KLD duhet të zbatojë vendimin nr.34/2017 të Gjykatës Kushtetuese për vazhdimësinë e institucioneve. KLD duhet të kryejë detyrën e saj sipas gjithë kompetencave që parashikohen në nenin 160 të Ligjit 96/2016”, eshtë shprehur ministrja e Drejtësisë.
Pavarësisht debateve të ashpra dhe argumentimit ligjor të ministres Gjonaj, në fund të mbledhjes të gjithë avëtarët e saj, që janë gjyqtarë, kanë votuar kundër propozimit për të shkakruar gjyqtarin Ahmet Jangulli./Lexo.al