Futbolli mbërriti në Shqipëri në fillim të shekullit të 20-të. Ndeshja e parë e regjistruar ishte mes disa nxënësve në një kishë në Shkodër e që prej asaj dite ka marrë një popullaritet shumë të madh duke u kthyer në sportin kryesor në vend.
Të shumtë janë ata që i kanë dhënë tonin kësaj loje të bukur dhe Iljaz Çeço është një nga ‘dirigjentët’ e topit të rrumbullakët që bëri shqiptarët të dashurohen me të dhe lojen e tij. Sot, ai feston 77-vjetorin e lindjes dhe krahas urimeve, duhet ta falenderojmë për atë që ai ka bërë për futbollin shqiptar.
Çeço bëri debutimin e tij me Traktorin e Lushnjes më 13 janar 1962 përballë Korabit teksa ishte vetëm 15 vjeç. Në qytetin e tij të lindjes luajti për 1 sezon për t’u marrë më pas nga Dinamo, aty ku fitoi nofkën “Princi i mesfushës” duke shkruar emrin e tij me gërma të arta në historinë e futbollit dinamovit dhe atë shqiptar. Zhvilloi 1 sezon edhe me 17 Nëntorin legjendar, për t’u rikthyer më pas me fanellën blu. Gjatë karrierës së tij fitoi 5 tituj kampion si dhe 3 kupa të Shqipërisë.
Çeço mban edhe rekordin e pathyer deri më sot me Kombëtaren shqiptare. Në moshën 17-vjeçare, Çeço bëhet futbollisti më i ri në histori që debuton me Shqipërinë, i futur në fushë nga ish-trajneri Zyber Konçi në një miqësore me Algjerninë në tetor të ’64.
77 vite Iljaz Çeço, redaksia e Newsport.al i uron ikonës shqiptare edhe shumë vite të tjera.