Një tërmet me magnitudë 7.4 ka goditur brigjet e Japonisë qendrore-perëndimore, duke shkaktuar të paktën gjashtë të vdekur.
Autoritetet kanë lëshuar një paralajmërim për cunami pasi valët më të larta se një metër goditën tashmë disa zona, por kërcënimi “ka kaluar kryesisht”, tha Qendra e Paralajmërimit të Tsunamit në Paqësor me bazë në Hawaii. Tërmetit të fortë i ka paraprirë një goditje e parë me magnitudë 5.5 ballë në të njëjtën zonë.
Disa shtëpi dhe shtylla elektrike u shembën dhe rreth 33,500 shtëpi mbetën pa energji elektrike. Autoritetet e Koresë së Jugut kanë lëshuar gjithashtu një paralajmërim për cunami në Detin Lindor. Autoritetet japoneze kanë urdhëruar popullsinë që të evakuojë zonën e goditur nga tërmeti i dhunshëm.
“Të gjithë banorët duhet të lëvizin menjëherë në tokat më të larta,” tha transmetuesi kombëtar NHK pasi tërmeti goditi rajonin Noto të prefekturës Ishikawa.
Të paktën gjashtë persona humbën jetën pas shembjes së disa shtëpive në qytetin Wajima, prefektura Ishikawa. Këtë e ka konfirmuar shefi i shtabit, Yashimasa Hayashi, në një konferencë për shtyp, duke raportuar edhe përhapjen e zjarreve në zonën e prekur.
Guvernatori i prefekturës Ishikawa, Hiroshi Ase, i kërkoi qeverisë të vendosë forcat e vetëmbrojtjes në zonat e prekura nga tërmeti. Asnjë dëm nuk është raportuar në termocentralet bërthamore, tha shefi i shtabit të zyrës së kryeministrit japonez Hayashi Yoshimasa, cituar nga televizioni publik japonez NHK.
Kompania Hokuriku Electric Power thotë se ka mbyllur dy gjeneratorë në termocentralin e saj Nanao Ota në qytetin Nanao, prefektura Ishikawa.