Portugezi Ruben Ribeiro Saraiva, i akuzuar si vrasësi i biznesmenit Ardian Nikulaj në lokalin e tij në Shëngjin, është ekstraduar nga Maroku në vendin tonë.
Ai ka mbërritur në aeroportin “Nënë Tereza” ditën e sotme dhe lajmi është dhënë nga ministri i Brendshëm, Taulant Balla në një postim në Facebook.
Portugezi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi dyshohet se ekzekutoi biznesmenin më 19 prill në Shëngjin së bashku me 4 shtetas britanikë me porosi të Edmond Haxhisë.
Shtetasit britanikë, që u hoqën si turistë dhe Edmond Haxhia janë arrestuar në Britani.
Falë mbështetjes së fortë të Interpol me të cilët po punojmë çdo ditë për gjetjen e personave në kërkim si dhe bashkëpunimit me agjencitë ligjzbatuese të Marokut, sapo u përmbyll në Aeroportin “Nënë Tereza” ekstradimi i shtetasit Ruben Ribeiro Saraiva, person i kërkuar nga drejtësia shqiptare si i dyshuar për një krim të rëndë.
Realizimi i këtij ekstradimi, edhe pse me Mbretërinë e Marokut nuk e kemi një marrëveshje ekstradimi, na ka krijuar tashmë eksperiencën por edhe besimin të vijojmë përpjekjet tona për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë ndaj personave që fshihen në vende të tjera.
Përgëzime Departamentit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Interpol Tirana dhe djemve të palodhur të RENEA për realizimin e 78 ektradimeve drejt Shqipërisë gjatë këtij viti që përmbyllim sot. Pres më shumë në Vitin e Ri 2024!