Klodian Braho është një prej 17 prokurorëve që po ushtrojnë detyrën në Strukturën e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK), njësia e specializuar që ndjek hetimet për grupet kriminale dhe korrupsionin në nivelin e lartë.
Së fundmi, ndaj tij ekzistojnë dyshime publike se Braho ka udhëtuar jashtë Shqipërisë me një eksponent të rëndësishëm të botës së krimit Ervis (Bledar) Gavelli dhe këtë fakt nuk e ka bërë të ditur për strukturat që kanë kryer verifikimin e pastërtisë së figurës së tij.
Këto dyshime publike janë shndërruar në një kallëzim drejtuar SPAK-ut për të hetuar prokurorin e tij për falsifikim dokumentash por, pse jo, edhe për bashkëpunim me elementë kriminalë.Kallëzimi është dorëzuar nga Mirel Mërtiri i inceneratorëve. Natyrisht, Mërtiri nuk është një personazh qelibar dhe kallëzimi që ai ka bërë ndaj prokurorit Braho lidhet pikërisht me hetimet për aferën skandaloze të landfillëve dhe djegësve të mbeturinave.
Megjithatë, SPAK-u ka mundësi që të “mbulojë” emrin e kallëzuesit dhe të shoh e të shqyrtoj faktet e përcjella në kallëzim.A ka udhëtuar vërtetë Klodian Braho me personazhin e kronikës së zezë, Ervis (Bledar) Gavelli? A e ka deklaruar ai këtë fakt në dokumentat që ka dorëzuar për procesin e rivlerësimit kalimtar dhe në aplikimin për prokuror në SPAK?
Përgjigjet e këtyre pyetjeve nuk janë vetëm përgjigje mbi kallëzimin, por shumë më tepër-janë një detyrim për opinionin publik, për të mësuar saktësisht nëse një prokuror special, nga ata “heronjtë e fëmijëve” është përlyer apo jo me personazhe të botës së krimit.
Kreu i SPAK-ut, Altin Dumani, në një takim informal me gazetarë të zhvilluar në mes të kësaj jave, pranoi se po shqyrtohet kallëzimi ndaj prokurorit Braho.“E kemi marrë kallëzimin me postë. Çështja po trajtohet njëlloj si çdo çështje tjetër me seriozitet të plotë. Askush nuk është imun as në radhët tona përfshirë edhe unë”, u shpreh Dumani.
Tashmë mbetet për t’u parë nëse SPAK do e trajtojë seriozisht kallëzimin dhe nëse do të japë përgjigjet e plota e të sakta mbi dyshimet për udhëtim të prokurorit Braho nën shoqërinë e një personazhi të akuzuar për trafik ndërkombëtar kokaine.“Udhëtimi” Braho-GavelliBazuar në të dhënat që qarkullojnë ditët e fundit në media dhe që besohet se janë pjesë e kallëzimit të Mirel Mërtirit ndaj Klodian Brahos, rezultojnë disa të dhëna interesante.Në 24 Shkurt 2012, Klodian Braho, në atë kohë drejtues i Prokurorisë së Beratit, ka kryer një udhëtim me makinë jashtë Shqipërisë në shoqërinë e tre personave të tjerë.
Njëri prej këtyre personazheve është Ervis Bardhyl Gavelli, lindur dhe banues në Berat. Ky personazh rezulton i arrestuar për krime në fushën e narkotikëve në Itali, në vitin 2004, pra disa vite para “udhëtimit” me Klodian Brahon.Po ashtu, në vitin 2020, Operacioni “Forca e Ligjit” e përfshiu Bledar Gavellin (tashmë me emrin e ndryshuar Ervis) në listën e personave për të cilët do të kryhej hetimi pasuror.Sipas njoftimit të Operacionit “Forca e Ligjit”, në prill 2020, thuhej se:
“….Në kuadër të Aktit Normativ nr. 1, datë 31.01.2020, OFL u ka dërguar kërkesat për vetëdeklarim të pasurisë, shtetasve: Ervis Gavelli, banues në Berat, dënuar për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike”. Leonart Gavelli, banues në Berat, dënuar për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike”.
Pra, është e konfirmuar zyrtarisht se Bledar (Ervis) Gavelli, bashkëudhëtuesi i prokurorit Klodian Braho, është një personazh i skeduar dhe i dënuar për trafik narkotikësh.Referuar të dhënave të bëra publike, Bledar (Ervis) Gavelli ka drejtuar një grup që trafikonte kokainë nga Amerika Latine drejt Hollandës dhe Italisë.Megjithatë, prokurori Klodian Braho nuk e ka deklaruar këtë udhëtim dhe instucionet verifikuese nuk e kanë zbuluar ose e kanë anashkaluar një fakt të tillë.
Vetingu me pikëpytjeProkurori Klodian Braho u konfirmua në detyrë nga procesi i Vetingut në korrik të vitit 2019, pas një procesi të dyshimtë dhe vetëm me shumicë votash të trupës së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.Organet e Vetingut mbyllën sytë dhe nuk e konsideruan penalizues për prokurorin, faktin që ai kishte një të afërm (kunat) të përfshirë në trafik narkotikësh.
KPK konfirmoi në detyrë subjektin Braho me votat e anëtarëve Valbona Sanxhakari dhe Roland Ilia. Ndërkohë që kryesuesja e trupës gjykuese të Vetingut, Xhensila Pine, ka qenë kundër për shkak të problemeve me kriterin e figurës.Komisionerja Pine ka shpjeguar me detaje se përse ajo është kundër konfirmimit të prokurorit Klodian Braho.Komisionerja Xhensila Pine është ndalur gjatë në rastin e arrestimit dhe dënimit të kunatit të Klodian Brahos, për të cilin prokurori ka deklaruar në formularët e integritetit se nuk ka pasur dijeni.
Sipas komisioneres, subjekti i rivlerësimit, z. Klodian Braho, përpara se të plotësonte deklaratën për kontrollin e figurës duhet të bënte të gjitha verifikimet e nevojshme me qëllim plotësimin me vërtetësi dhe saktësi sipas detyrimit kushtetues, të deklaratës për kontrollin e figurës./Nga Boldnews.al