Mbrojtësit ligjorë të ish kryeministrit Sali Berisha, me kërkesat e rrëzuara dy herë më parë për përjashtimin gjyqtares Irena Gjoka nga trupa gjykuese me pretendimin se ka qenë e njëanshme, ia kanë dalë ta shtyjnë seancën për marrjen e vendimit në GJKKO deri të shtunën.
Juristi Romeo Kara i ftuar në “Studio Live” në Report TV me gazetarin Arbër Hitaj tha se Berisha po tenton të mitizohet mbi ligjin por në fund do të përballet me masën e sigurisë arrest në shtëpi dhe sipas tij do të trajtohet si i paraburgosur.
“Berisha tani do të trajtohet normalisht si i paraburgosur. Po luhet në fushë proceduriale për t’i shërbyer mitit të tij politik. Kërkesa për përjashtimin e gjyqtares nuk zë vend. Kjo gjyqtare guxoi. Avokatët e tij tani po lozin fortë nga ana proceduriale, kjo tregon se kanë një frikë dhe për statusin e Berishës. E presin një komunikim akuze dhe mund të kalojnë pastaj në shqyrtimin gjyqësor”.
“Mund të ketë shtyrje edhe ditën e shtynë, gjykata mund të marrë 48 orë kohë për ta shqyrtuar. Berisha s’mund të ketë më shumë të drejta se të tjerët të shtyhet pambarimisht. Maksimumi do të kërkohet 48 orë për të parë me gërma atë që do thuhet atje dhe do marrin vendimin. Në mesin e javës që vjen do ta kemi të zgjidhur këtë punë.
Nuk kanë dashur të thyejnë mitin Berisha… prandaj nuk e kanë zbatuar masën e parë të sigurisë. Impostohem në vendin e tij dhe duke njohur aktivitetin e tij dhe atë si person ai thotë po u katandisa ta mbroj veten në gjyq do të jem i humbur.
Pra drejtësia po vret idhujt dhe po barazon njerëzit. Ai thotë me vete si mundet të më çojnë mua para drejtësisë. Ai nuk e pranon dot. Dhe në këtë koncept avokatët kanë qenë ta pafuqishëm për ti thënë bëj si themi ne. Është lojë proceduriale që nuk do i çojë askund”, shtoi ai.
Në rastin e Berishës, Kara tha se SPAK nuk ka dashur të jetë si në rastin e Berishës.
“Ne kemi një ish zv.kryeministër i cili në momentin që mori vesh që vajti kërkesa e SPAK atje kërciti ferrën doli nga Greqia dhe nuk e kemi sot e kësaj dite. Përpara drejtësisë shfrytëzojnë imunitetin. Spak me rastin e Berishës nuk ka dashur të jetë më përpara kësaj gjëje”.
Avokati Alban Duraj nënvizoi se Berisha duhet të ishte bindur nga avokatët që të respektonte masën e sigurisë detyrim paraqitje.
“Avokatët të bindnin Berishën të paraqitej në gjyq. Nuk ka raste të tilla kur mund të ketë një vendimmarrje dhe ajo vendimmarrje është kthyer pas. Nuk ka përcaktim në kodin e procedurës penale në lidhje me këtë kërkesë. Kjo kërkesë është rrëzuar dhe avokatët kanë shkuar me kërkesë tjetër. Spak për t;u përgëzuar, të ashpër në arreste. Duhet të shtohen sa më shumë burimet financiare dhe njerëzore për SPAK. ”