Ditën e nesërme (28 dhjetor) në orën 15:00 GJKKO do të shpallë vendimin për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj Sali Berishës kërkuar nga SPAK, nga “detyrim paraqitje” në “arrest shtëpie”.
Kërkesa e SPAK mbërriti në gjykatë të shtunën, pas marrjes në Kuvend të autorizimit për heqjen e imunitetit të Berishës më 18 dhjetor.
Kërkesa për ashpërsimin e masës së sigurisë ndaj Berishës erdhi pasi ky i fundit kundërshtoi si antikushtetuese masat e mëparshme të detyrimit për paraqitje dhe ndalim të daljes jashtë shtetit, duke mos i zbatuar ato. Kodi i Procedurës Penale parashikon zëvendësimin e masës në raste të tilla.
Berisha ka mohuar akuzat dhe ka deklaruar në vazhdimësi se procesi kundër tij është porositur nga kundërshtari politik, kryeministri Edi Rama.