Presidenti i SHBA, Donald Trump dhe udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, shtrënguan duart të martën në mëngjes në një hotel të Singaporit, para se të fillonin bisedimet rreth denuklearizimit të mundshëm të gadishullit Korean. Liderët e dy superfuqive botërore nënshkruan një dokument, përmes të cilit ata angazhohen për denuklearizimin e Gadishullit Korean, një proces që sipas Trump do të nisë shumë shpejt.
Nën shkrepjet e dhjetëra kamerave, dy udhëheqësit u takuan përpara një sfondi me flamurë amerikanë dhe koreano veriorë në një ngjarje të pashembullt – takimi i parë i një presidenti aktual amerikan dhe një udhëheqësi të Koresë së Veriut.
Ndërsa fillonte takimi i nivelit të lartë, Presidenti Trump parashikoi se ai do të kishte një “marrëdhënie të shkëlqyer” me udhëheqësin Kim Jong Un, i cili tha nga ana e tij se ai dhe zoti Trump “kishin ardhur aty pas tejkalimit të të gjitha pengesave”.
Para këtij takimi, ata bënë deklarata për mediat. Presidenti Trump e vuri theksin në zgjidhjet e pritshme të problemeve.
Z. Kim, është një nder i madh të jem me ju këtu dhe unë e di se do të kemi sukses të jashtëzakonshëm së bashku; ne do të zgjidhim problemin tonë të madh, dilemën tonë të madhe, që deri në këtë moment nuk ka qenë e mundur të zgjidhet. Duke punuar së bashku, ne do ta zgjidhim atë. Është një nder i madh. Faleminderit shumë. Ne do ta zgjidhim, do të jemi të suksesshëm dhe mezi pres që të punoj me ju. Do të bëhet; ju faleminderit shumë.
I pyetur nëse do ta ftojë udhëheqësin koreano-verior në Shtëpinë e Bardhë, presidenti Trump u përgjigj: Do ta bëj patjetër. Sakaq edhe udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un shprehu angazhimin për t’i shërbyer paqes.
Do të ketë sfida përpara, por ne do të punojmë me presidentin Trump. Kemi mposhtur të gjitha llojet e skepticizmit dhe spekulimeve për këtë samit dhe besoj se kjo është diçka e mirë për paqen. Ne tejkaluam me guxim të kaluarën, e cila na mbante mbrapa dhe u ulëm bashkë; mendoj se ky është një prelud i paqes.
Këto deklarata zgjatën vetëm një minute. Pas kësaj dy udhëheqësit mbyllën dyert për një takim kokë me kokë, ku të pranishëm ishin edhe përkthyesit. Trump dhe Kim nënshkruan një dokument të paspecifikuar, pas një takimi ballë për ballë prej 45 minutash dhe bisedimeve midis delegacioneve të tyre në një hotel luksoz në ishullin Sentosa të Singaporit.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se denuklearizimi i Gadishullit Korean do të nisë “shumë shpejt”. Ai i bëri këto komente pas takimit me udhëheqësin verikorean, Kim Jong Un, për të cilin tha se ka qenë “sukses i jashtëzakonshëm”.
Trump e cilësoi atë si dokument “shumë të rëndësishëm” dhe gjithëpërfshirës, por refuzoi të japë më shumë detaje, duke thënë se “të dyja palët do të impresionohen me rezultatin”.