Rosa Louise Mccauley Parks (4 shkurt 1913 – 24 tetor 2005) ishte aktiviste në Lëvizjen për të Drejtat Civile. Kongresi i Shteteve të Bashkuara e quajti “zonja e parë e të drejtave civile” dhe “nëna e lëvizjes së lirisë”.
Me “jo”-në e saj është bërë gruaja simbol që sfidon paragjykimet shoqërore dhe abuzimet e pushtetit në segregacionin racor.
Rosa Parks, afro amerikane, në mbrëmjen e 1 dhjetorit 1955 në Montgomery (Alabama), po kthehej në shtëpi me autobus. Të vetmet vende boshe ishin në pjesën e pasme, rezervuar për të bardhët. Ajo u ul atje.
Kur më vonë hipën disa pasagjerë të bardhë, drejtuesi e urdhëroi që të zhvendosej në sektorin për zezakët.
Rosa u dërgua në burg
Parks refuzoi t’i bindej urdhrit të shoferit të autobusit James F. Blake që të çohej nga vendi i saj në “seksionin me ngjyrë” për një pasagjer të bardhë.
Një reagim i qetë, pa britma, një “Jo” i dha një rrjedhë tjetër historisë.
Rosa Parks qëndroi në vendin ku ishte ulur. Shoferi ndaloi udhëtimin. Thirri dy agjentë, të cilët e arrestuan Parks.
Rosa u dërgua menjëherë në burg.
Parks nuk ishte e para që bëri rezistencë ndaj ndarjes së autobusëve në seksione për të bardhë e për njerëzit me ngjyrë.
Të tjerë kanë ndërmarrë hapa të ngjashëm, përfshirë Bayard Rustin në vitin 1942. Irene Morgan në vitin 1946. Lillie Mae Bradford në vitin 195., Sarah Louise Keys në vitin 1952. Ishin ed0he anëtarët e padisë së suksesshme Browder kundër Gayle në vitin 1956 (Claudette Colvin, Aurelia Browder, Susie McDonald dhe Mary Louise Smith), të cilët u arrestuan në Montgomery për faktin që nuk u ngritën nga vendet e tyre të autobuzit disa muaj para Parks.
Organizatorët e NAACP besonin se Parks ishte kandidatja më e mirë për të patur një sfidë gjyqësore pas arrestimit të saj për mosbindje civile në shkelje të ligjeve të veçimit të Alabama. Në fund çështja e saj u harrua në gjykatat shtetërore, ndërkohë që rasti i Browder kundër Gayle doli me sukses.
Kundërshtimi i Parks dhe bojkoti i autobusit Montgomery u bënë simbole të rëndësishme të Lëvizjes moderne për të Drejtat Civile.
Ajo u bë një ikonë ndërkombëtare e rezistencës ndaj ndarjes racore.
Rosa Parks organizoi dhe bashkëpunoi me udhëheqësit e të drejtave civile, përfshirë Edgar Nixon, president i kapitullit lokal të NAACP; dhe Martin Luther King, Jr., një pastor i ri në qytet i cili fitoi përparësi kombëtare në Lëvizjen e të Drejtave Civile.
Protesta e bojkotimit të mjeteve publike
Po atë natë dhjetori rreth 50 udhëheqës të komunitetit afroamerikan, të drejtuar nga Martin Luther Kingu atëherë jo shumë i njohur, ndoqën shembullin e saj. Shpallën bojkotimin e mjeteve publike.
King, duke trajtuar veprimin e Parks, do të shkruante më vonë: “Rosa qëndroi e ulur në emër të abuzimeve të akumuluar ditë pas dite dhe në emër të aspiratave të pakufi të brezave të ardhshëm”.
Protesta vazhdoi për një vit, deri kur çështja Rosa Parks përfundoi në Gjykatën e Lartë të Shteteve të Bashkuara, e cila e quajti jokushtetues segregracionin në mjetet e transportit publik në Alabama.
Bojkoti u kish hapur rrugë protestave të tjera, që në vitin 1964 sollën miratimin e një ligji të ri mbi të drejtat civile, që formalisht i jepte fund segregimit racor në SHBA.
Aktivizmi i Roza Parks
Në atë kohë, Parks ishte sekretare e kapitullit të Montgomery të NAACP. Ajo kishte marrë pjesë kohët e fundit në Shkollën Highlander Folk, një qendër në Tennessee për trajnimin e aktivistëve për të drejtat e punëtorëve dhe barazisë racore.
Megjithëse e nderuar gjerësisht në vitet e mëvonshme, ajo gjithsesi vuajti për aktin e saj. U u pushua nga puna e saj si rrobaqepëse në një dyqan lokal dhe mori kërcënime me vdekje për vite me radhë.
Menjëherë pas bojkotit, ajo u shpërngul në Detroit, ku gjeti punë të ngjashme. Nga viti 1965 deri në vitin 1988 shërbeu si sekretare dhe recepsioniste në John Conyers, një përfaqësues afro-amerikan i SHBA-ve.
Ajo ishte gjithashtu aktive në Lëvizjen Black Power dhe mbështeti të burgosurit politikë në SHBA. Pas daljes në pension, Parks shkroi autobiografinë e saj. Vazhdoi të këmbëngulte se lufta për drejtësi nuk kishte mbaruar. Instistonte se kishte shumë punë për t’u bërë.
Parks ka marrë njohje kombëtare, duke përfshirë Medaljen e Spingarn 1979 të NAACP, Medaljen Presidenciale të Lirisë, Medaljen e Artë të Kongresit. Iu bë edhe një statujë pas vdekjes në Sallën Kombëtare të Statujave të Kapitol në Shtetet e Bashkuara.
Pas vdekjes së saj në vitin 2005, ajo ishte gruaja e parë dhe personi i tretë jo- zyrtar i qeverisë amerikane që kishte arkivolin në Capitol Rotunda.
Kalifornia dhe Misuri e përkujtojnë Ditën e Rosa Parks në ditëlindjen e saj më 4 shkurt. Ohajo dhe Oregoni e shënojnë përvjetorin e ditës kur u arrestua, më 1 dhjetor.
Duke u bërë një nga simbolet e të drejtave civile, Rosa Parks është nderuar nga udhëheqësit, duke filluar me Martin Luther King deri tek presidentit i parë afrikano-amerikan Barack Obama.
Përgatiti: T.K/ ObserverKult