Policia e Shtetit kërkon të sigurojë kampionë biologjike ADN të çdo të burgosuri që do të fitojë lirinë për shkak të amnistisë në burgje. Përmes një shkrese zyrtare drejtuar Ministrisë së Drejtësisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, kreu i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, kërkon bashkëpunim për marrjen e mostrave të ADN-së të të burgosurve në prag lirimi.
Profilet gjenetike që do të përftohen do të ruhen në databazën ADN të Policisë së Shtetit. Sipas burimeve pranë këtij institucioni, qëllimi i procesit është krijimi i mundësisë për krahasimin e këtyre profileve me profile gjenetike të gjetura në vendngjarje të ndryshme të mbetura të paidentifikuara, apo edhe në raste të mundshme të ri përfshirjes në krime të personave që do të lirohen.
Në të njëjtën shkresë Policia e Shtetit shpreh gatishmëri për të siguruar grupe ekspertësh dhe tamponë për realizimin e procesit. Nga projektligji për amnistinë pritet të lenë qelitë rreth 600 të burgosur.
Aktualisht projektligji është miratuar në qeveri dhe pret të miratohet në parlament, për të hyrë më pas në fuqi edhe nisur efektet e tij.