“Ëndrra merr fund!” Me këtë togfjalësh kryeministri Edi rama njoftoi nisjen e kantierit të parë për “Rrugën e Arbërit”. Pas mbledhjes së qeverisë në Durrës, Rama njoftoi se punimet nisin këtë të diel.
“Më në fund do t’i japim fund 100 viteve ëndrra, heshtje, premtime, për rrugën e Arbrit, pasi të dielën që vjen hapet kantieri për Rrugën e Arbrit”, u shpreh kryeministri Rama.
Ai ka bërë një panoramë edhe të vendimeve të tjera.
Sa i trakon shëndetësisë, Rama tha se është dhënë një urdhër i prerë për drejtuesit apo administratorët e spitaleve për të mos dërguar pacientët për të blerë medikamente nëse ato i posedon spitali.
“Dua të theksoj se ka filluar edhe shkolla e drejtorëve të spitaleve për menaxherët e spitaleve. Është dhënë një urdhër i prerë në raport me çdo rast kur konstatohet se pacientëve u jepen receta për të blerë jashtë spitalit, për barna që spitali i disponon”, vijoi Rama.
Po ashtu, Rama njoftoi se është marrë vendimi për përditësimin e listës së barnave të rimbursueshme. Sipas tij, në listë tashmë janë një numër më i madh ilaçesh.
“Kemi marrë një vendim të rëndësishëm për përditësimin e listës së barnave, që do u japë mundësi spitaleve të ofrojnë trajtimin më të mirë për një numër sëmundjesh. Dhe ky vendim vjen vetëm pak javë pas publikimit të listës së re të barnave të rimbursueshme”, deklaroi Rama.
Mes vendimeve të marra ai nënvizoi rritjen e pensioneve, një rritje që sipas tij është mbi inflacionin.
“Kemi bërë një hap tjetër shumë të vogël në raport me nevojën për 665 mijë pensionistë pasi kemi rritur pensionet mbi inflacionin, pra, nëse do t’i referoheshim shifrave kemi vendosur 15 milionë dollarë plus”, deklaroi Rama.