Hetuesit e Task Forcë ‘zbarkuan’ pak ditë më parë në zyrën e ish-drejtoreshës së Metrologjisë, Kozeta Mesiti, për ta pyetur lidhur me abuzimet e kryera nga 14 subjekteve tregtare, që mashtronin konsumatorët lidhur me sasinë e karburantit. Lajmi konfirmohet nga zyrtarë të Prokurorisë së Tiranës, të cilët thanë ndër të tjera se pyetja e Mesitit është bërë në zyrën e saj, javën që lamë pas, pak ditë përpara se ajo të largohej nga posti i drejtoreshës së Metrologjisë. E kontaktuar nga “GSH”, ish-drejtoresha Mesiti konfirmoi faktin se ka dhënë dëshminë e saj për hetuesit e Task Forcë, si dhe u ka vënë në dispozicion të gjitha materialet shkresore, që kanë lidhje me çështjen hetimore.
“Kemi marrë kontakt me prokurorët. U kemi vënë në dispozicion çdo material që kanë kërkuar dhe që panë të arsyeshme për hetimin e çështjes. Por për motive konfidencialiteti, nuk mund të bëj asnjë koment mbi përmbajtjen e dokumentacionit”, tha Mesiti për “GSH”. Burime të prokurorisë thanë se dëshmia e Kozeta Mesitit është pika kyçe ku mbështeten hetimet, për shkak se ka folur në mënyrë të detajuar mbi aktin e kontrollit të karburanteve, ku 14 të tilla u gjetën me shkelje të rënda. Lidhur me mospublikimin e emrave të kompanive të gjetura me shkelje, Mesiti mbajti të njëjtin qëndrim, ashtu sikurse në krye të herës, duke e cilësuar si shkelje të ligjit publikimin e raportit.
Hetimet
Skandali i mashtrimit të konsumatorëve u zbulua pak javë më parë pas bërjes publik të raportit të Metrologjisë, kryer në pikat e karburantit në vend. Inspektorët nxorën në dritë abuzimet e subjekteve tregtare dhe fill më pas prokuroria nisi hetimet. Oficerët e policisë gjyqësore me urdhër të prokurorit Julian Zonja sekuestruan në Drejtorinë e Përgjithshme të Metrologjisë raportin e kontrollit, brenda të cilit janë renditur emrat e subjekteve ndaj të cilave është ushtruar kontroll dhe atyre që janë kapur me shkelje. Nga aktkontrolli i Metrologjisë rezulton se përmes mekanizmit të dëmtimit të instrumentit matës të karburantit është bërë e mundur dhe përvetësimi i sasive të vogla për çdo shitje, por që përkthyer në vlerë leku, përfitimet kanë qenë jo të pakta. Ndryshe nga më parë, këtë herë krahas hetimeve për mashtrimin me sasinë e karburanteve, prokuroria do të kryejë verifikime edhe lidhur me cilësinë e karburantit që tregohet në vend. Prej kohësh kanë qarkulluar zëra se karburanti që tregtohet nga disa subjekte është i papërpunuar dhe përpos faktit që dëmton rëndë automjetet, shkakton një ndotje të lartë të mjedisit.