Një emigrant ka ndërruar jetë tragjikisht, në përpjekje për të mbërritur në Britaninë e Madhe me gomone.
Mediat e huaja raportojnë se ngjarja ka ndodhur në kanalin La Mansh, ku emigranti ndodhej në një gomone, së bashku me 65 persona të tjerë, duke u drejtuar drejt tokës angleze.
Autoritetet e rojes bregdetare franceze morën një telefonatë emergjence rreth mesnatës, për një gomone që ishte duke u përmbytur pasi kishte pësuar një shpim rreth pesë milje larg bregut të Grand Fort Philippe, pranë Calais.
Një anije shpëtimi, Esvagt Charlie, mbërriti në vendngjarje gjysmë ore më vonë. Gjithsej 66 persona u shpëtuan gjatë një ore, por dy ishin pa ndjenja në momentin e nxjerrjes nga uji. Teksa një u rikthye në jetë, emigranti tjetër nuk mundi të mbijetonte dhe u shpall i vdekur. Nuk është bërë ende i ditur identiteti i emigrantit që ndërroi jetë.