Dronët “Bayraktar” shumë shpejt do të bëhen pjesë e Forcave të Armatosura.
Kështu shkruan kryeministri Edi Rama teksa ka publikuar pamje të dronëve për të cilët thotë se janë të një teknologjie “më të lartë të fluturimeve që përdoren për misione ushtarake, policore dhe civile”.
Më tej Rama nënvizon se “Kompletimi i Shqipërisë me flotën e këtyre dronëve përbën rëndësi të veçantë në funksion të sigurisë sonë kombëtare dhe asaj të Aleancës, si respektim i detyrimeve që rrjedhin nga Strategjia e Sigurisë Kombëtare, Strategjia Ushtarake dhe objektivat e Kapaciteteve të NATO-s”.
“Të përkushtuar për të përdorur teknologjinë më të avancuar në mbrojtjen e territorit tonë”, shkruan Rama.
Marrëveshjen për blerjen e dronëve ‘Bayraktar’ nga Turqia Shqipëria e firmosi në dhjetor të një viti më parë. Pajisja me këta avionë do t’u ofrojë institucioneve të qeverisë shqiptare një mbështetje të madhe në nivel operacional, në fusha të ndryshme.