Kërkesa e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), për autorizimin e Kuvendit për masë arresti ndaj Sali Berishës nën akuzën e korrupsionit pasiv lidhur me privatizimin e kompleksit ‘Partizani’, ka qenë në qendër të zhvillimeve politike në vend gjatë ditës së sotme.
Për të folur mbi këtë kërkesë, i ftuar në “Frontline Intervieë” me Marsela Karapançon në Report Tv, ka qenë juristi Romeo Kara. Duke komentuar faktorët që e sollën këtë kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Kara tha se Berisha nuk u la rrugë tjetër organeve të drejtësisë pasi nuk po zbatonte vendimin e gjykatës për “detyrim paraqitje”.
Teksa foli për masën e arrestit që mund të caktohet ndaj Berishës, Kara tha se nëse i caktohet ‘arrest shtëpiak’ dhe ish-kryeministri vijon të cënojë integritetin e procesit, atëherë do të vijohet me masën ‘arrest me burg’ ndaj tij.
“Shkaku që u arrit në këtë masë, ka qenë refuzimi i hershëm i Berishës duke mos zbatuar vendimin e gjykatës nuk i ka lënë organeve të drejtësisë asnjë rrugë tjetër veçse të shkojnë në masën e fundit. Besoj do fillojë kontrolli i banesës. Ai e rëndoi vetë masën.
Nëse do kemi një masë me arrest shtëpie dhe personi në fjalë do përpiqet të përdorë politikën kundër procesit, nuk është çudi të kemi arrest me burg. Nëse ai kërkon që edhe duke qenë në shtëpi të cënojë integritetin e procesit nuk është çudi që t’i ashpërsohet masa dhe t’i caktohet arrest me burg”- tha Kara.
Nga ana tjetër, juristi i PD, Franc Nuri e cilësoi kërkesën si antikushtetuese duke nënvizuar se sipas tij, vetë masa “detyrim paraqitje” e marrë nga GJKKO për Berishën ishte jo-kushtetuese pasi nuk u mor autorizimi nga Kuvendi si fillim.
“Është për të ardhur keq që gjykata dhe prokuroria në Shqipëri nuk zbatojnë kushtetutën e republikës. Vendimi ndaj Berishës, është një vendim që tenton ta penalizojë atë vetëm se nuk ka zbatuar një vendim antikushtetues. Është kërkuar heqja dhe kufizimi i lirisë së një deputeti me 2 masa shtrënguese personale si detyrimi për t’u paraqitur dhe ndalimi për të dalë jashtë shtetit pa marrë autorizimin e Kuvendit siç e përcakton Kushtetuta”- tha Nuri.
Ky i fundit, u shpreh se nuk mund të caktohet masë “arrest me burg” për Berishën pasi Kodi Penal nuk e lejon diçka të tillë për personat mbi 75 vjeç përveç në rastin kur këta të fundit, kanë kryer vrasje dhe janë kapur në flagrancë.
Sot Prokuroria e Posaçme dërgoi në SPAK relacionin ku kërkohej autorizimi për heqjen e lirisë së Sali Berishës duke qenë se ky i fundit nuk respektoi 3 herë rradhazi vendimin e GJKKO “detyrim paraqitje” si person nën hetim për korrupsion pasiv për aferën “Partizani”.
Ndaj Berishës mund të caktohet masë “arrest me burg” ose “arrest shtëpie”. Ndërsa vetë ish-kryeministri la të kuptohej se deputetët të cilët e mbështesin nuk do ta votojnë kërkesën e SPAK. Këshilli i Mandateve do të mblidhet në datën 18 dhjetor në orën 12:00 për të shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për autorizimin e heqjes së lirisë së Berishës.